Propozimet për ndryshime të Statutit të Partisë Demokratike, të cilat u panë si formulë për të shëruar përplasjet në parti pas humbjes në zgjedhjet e fundit, nuk kanë sjellë zbutje të konfliktit brenda saj.
Nga Vladimir Karaj/ BIRN
Partia Demokratike do të votojë të dielën, më 29 prill, statutin e ri, por propozimi që do i shkojë për votë Kuvendit Kombëtar, nuk i ka kënaqur kundërshtarët e kryetarit të PD Lulzim Basha, të cilët kërkonin ndyshime më të thella, përfshirë edhe përcaktimin e rregullave të qarta të largimit të drejtuesit të partisë.
Ndryshimi i rregullave të funksionimit të Partisë Demokratike u propozuan si një zgjidhje për krizën brenda saj, pas humbjes së thellë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe rizgjedhjes së Bashës në krye të partisë në një proces të kontestuar nga kundërshtarët e tij në parti.
Kundërshtarët e Bashës fajësojnë këtë të fundit për humbjen në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2017 dhe kryesisht procesin e bërjes së listave të kandidatëve për deputetë, ku një pjesë e figurave kryesore në PD, përfshi ish-kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe disa ish-ministra e drejtues të partisë u lanë jashtë garës për në parlament.
Po ashtu ata besojnë se Basha duhej të kishte marrë më shumë përgjegjësi dhe duhej të ishte larguar pas humbjes së zgjedhjeve. Por Basha, i cili rifitoi në një garë përballë Eduard Selamit në korrik të vitit që kaloi postin e kryetarit, pretendon se zgjedhjet e përgjithshme u vodhën nga qeveria dhe se standardi i dorëheqjes nuk mund të aplikohej në këtë rast.
Statuti i ri u pa si një mënyrë për të ribashkuar apo hapur partinë për ata që mendonin ndryshe, ndërsa propozimet për ndryshime u paraqitën nga të gjitha palët, përfshirë edhe kundërshtarët e Bashës, por propozimi që do t’i shkojë Kuvendit Kombëtar për votim nuk i ka kënaqur kundërshtarët.
Edvin Kulluri, i cili ishte bashkëautor i një draft-statuti me ndryshime radikale, thotë se statuti i ri është një përpjekje e kreut aktual “për të mbajtur me pahir” drejtimin e forcës kryesore opozitare në vend. Drafti u kundërshtua edhe nga ish-kryeparlamentarja Topalli, dhe ish-deputetët e kësaj partie Astrit Patozi, Arben Imami, Eduard Selami e të tjerë.
Në krahun tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Arben Ristani, i cili drejtoi punën për përpilimin e ndryshimeve, tha se statuti i ri ishte përmirësuar në krahasim me atë të miratuar në vitin 2014 dhe theksoi se kritikët ishin “të mërzitur me veten dhe problemet personale”.
Statute të pazbatuara
Me gjithë debatin e ashpër të ditëve të fundit, statutet e partive politike shqiptare, edhe pse të kopjuara nga parti simotra në Perëndim, nuk janë respektuar ndonjëherë nga kryetarët e këtyre forcave. Kështu më herët në PD, ish-kryeministri Sali Berisha vendosi një rekord të mosmbledhjes së strukturave kolegjiale pavarësisht parashikimeve në statut. Ndërkohë kryeministri Edi Rama, përdori pak a shumë të njëjtin arsyetim si Lulzim Basha pas zgjedhjeve të humbura në vitin 2009 dhe pas vitit 2013 “harroi” pikën e statutit që fliste për zgjedhje të kryetarit një herë në katër vjet, çka shërbeu si motiv i largimit nga PS i dy deputetëve që themeluan partinë LIBRA.
Rëndësinë relative të rregullave të partive politike në vend e pranoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Arben Ristani. Në një bisedë për BIRN, Ristani theksoi se “Statuti i PD (ende në fuqi) ka qenë një statut demokratik shumë i mirë” dhe se atij i ishin bërë përmirësime “që të pakësojnë kompetencat e kryetarit”, por pranoi se nuk kishte garanci për zbatimin e asaj që ishte shkruar.
“Çfarë garancish mund të japësh në këtë gjë, sepse zbatimi i gjësë varet nga vullnetet e personave. Si mund ta diktosh vullnetin nëpërmjet të shkruarës?! Nuk e dikton dot”, tha Ristani.
Përkundër tij Edvin Kulluri i tha BIRN se propozimi i tij dhe ish-zv/ministres së jashtme Edit Harxhi krijonte mundësinë për kontroll të pushtetit të kryetarit, përfshi krijimin e disa autoriteteve të reja si kryetari i Kuvendit Kombëtar, kryetari i Këshillit Kombëtar, një gjykatë ku mund të ankohen vendimet e drejtuesve, një strukturë e kontrollit të financave të partisë dhe kufizimi i mandatit të kryetarit bazuar mbi rezultatin e zgjedhjeve.
Por Kulluri tha se nga propozimi i tyre në draftin përfundimtar ishin marrë vetëm elementë të parëndësishëm, si ulja e numrit të anëtarëve të kryesisë.
“Kjo (statuti i ri) e mban partinë të përçarë. Ai komision, nuk doli me dy alternativa, ai ishte një draft Frankeshtajn”, tha Kulluri.
Sekretari i Përgjithshëm Ristani e mbrojti projektin që votohet këtë të dielë. Duke iu referuar akuzave se ndryshimet i zgjasnin mandatin Bashës dhe i jepnin më shumë kontroll ndërsa shmangnin mbajtjen e përgjegjësisë në rast humbje të zgjedhjeve ai tha se statuti nuk kishte ndryshuar në këtë pikë.
“Në rast se i vjetri i ka pas dhënë përjetësi kryetarit, po aq i jep edhe ky i riu”, tha Ristani.
Gjithçka rreth mandatit të kryetarit
Duke iu referuar mospërfshirjes së dorëheqjes në rast humbjeje, Ristani tha se dorëheqja ishte një akt moral dhe nuk mund të përfshihej në statut, por këmbënguli se statuti parashikonte mënyra për ta mbajtur kryetarin përgjegjës, përfshi shkarkimin e tij nga Kuvendi Kombëtar përmes një mocioni mosbesimi apo largimin e tij me votim nga anëtarësia. “Nëse kryetari e çon partinë në humbje, anëtarësia nuk e voton më, nëse e voton anëtarësia e do anëtarësia, është votë demokracia”, tha Ristani.
Ai po ashtu tha se statuti i ri kishte forcuar linjën ideologjike të partisë, duke sanksionuar parime të djathta si besimi në Zot, familja tradicionale antikomunistizimi e të tjerë. Ai po ashtu tha se statuti i ri u jepte më shumë kompetenca organeve kolegjiale si Këshilli Kombëtar, madje krijonte mundësinë e propozimeve alternative të kandidaturave nëse për këto kishte kundërshtime.
Të dyja palët pretendojnë se për shembull ishin marrë statute të partive të mëdha të djathta ne Europë si CDU gjermane apo konservatorët britanikë, por Kulluri thotë se propozimi që do të votohet në kuvend nuk reflekton ndonjë prej këtyre statuteve. Ai tha se një prej propozimeve të tyre ishte bordi i kontrollit financiar. “Ne kemi kërkuar të dimë se çfarë bëhet me paratë e donacioneve dhe paratë që merr nga qeveria Partia Demokratike. Gjysma e statutit të CDU merret me financat e partisë”, tha Kulluri.
Ai tha se pretendimi i Bashës se nuk mund të jepte dorëheqjen sepse zgjedhjet ishin vjedhur, ishte një gënjeshtër e madhe. “Nëse Basha pretendon se zgjedhjet nuk ishin të lira, pse nuk çoi në KQZ asnjë ankesë të vetme për vjedhjen e zgjedhjeve”, tha ai duke akuzuar kryetarin e PD për marrëveshje të fshehtë me Ramën.
Kulluri këmbënguli se sanksionimi me statut i dorëheqjes apo shkarkimit ishte formula më e mirë, pasi sipas tij Basha “nuk ndjek as moralin e dhënies së dorëheqjes pas humbjes, as traditën duke vepruar njësoj si Sali Berisha”, prandaj sipas tij duhej sanksionimi, “për të dhënë një garanci që nuk do e çosh partinë nga humbja në humbje”.
Për Ristanin sidoqoftë largimi i kryetarit pas humbjes rregullohet vetvetiu nga votimi një anëtarë një votë. “Njerëzit duan të vijnë në pushtet, nuk duan mirëqenien e një kryetari të caktuar”, tha ai.
Për Kullurin ndryshimet janë jo thelbësore sa kohë nuk ka “balancim të pushtetit absolut të kryetari të partisë”, që ishte ajo që shkaktoi sipas tij “vendimmarrjen krejtësisht të njëanshme dhe arrogante” për listat para zgjedhjeve të kaluara.
Veritas.com.al/