Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi miratoi sot ndryshimet në draftin për reformën në drejtësi.
Kështu, pa praninë e opozitës në mbledhje, u ndryshua formula për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.
Me ndryshimet e reja kushtetuese që do të bëhen, kryeprokurori do të zgjidhet në Parlament me 3/5 e votave, pra me 84 vota.
Një tjetër ndryshim i miratuar në komision është fakti që Presidentit i hiqen kompetencat për zgjedhjen e prokurorëve. Përzgjedhja e këtyre të fundit do të bëhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Në përfundim të mbledhjes, deputeti socialist Ulsi Manja deklaroi se kjo formulë e bën Prokurorinë të pavarur. Këto ndryshime janë ndër pikat e dakordësuara mes mazhorancës dhe opozitës.
E vetmja pikë që nuk bien dakord është rekomandimi 88 i Komisionit të Venecias, zbatimin e së cilës opozita e kërkon me ngulm.