Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një komunikim publik në median sociale Facebook me moton “Le të dëgjojmë njëri-tjetrin” – e para për këtë vit për kreun e qeverisë, ka folur për mënyrën e funksionimit të “Këshillit të Parë Publik”.

Ai tha se “çdo qytetar mbi 18 vjeç, do të plotësojë formularin e thjeshtë dhe anonim”.

“Dua të theksojë që këtë vit duam komunikim me njëri tjetrin. Ne të dëgjojmë opinionet e njerëzve”, tha Rama ndërsa bëri të ditur se ka nisur procesi i këtij Këshilli.

Qytetarët do të fillojnë të marrin letrën e Këshillimit Kombëtar, sipas njoftimi të kryeministrit, i cili ka si qëllim “për të marrë opinionin lidhur me një sërë temash”.

Bëhet fjalë për sektorin e ekonomisë, punës, drejtësisë dhe integrimin evropian.

“Qëllimi është që këto përgjigje të jenë sa më shumë shprehje e një mendimi me njerëzit. Dëgjim pak më të thelle me njerëzit. Pa asnjë obligim thjeshtë kontribut”, tha Rama.

Rama, gjatë fjalës së tij, është ndalur edhe te pandemia.

Numri një i qeverisë shqiptare e ka vënë theksin te shifra e rasteve të reja me COVID-19, që është alarmuese.

“Ka pasur 1 mijë e 236 raste të reja pozitive me COVID-19, për shkak të festave dhe mungesës së plotë të masave shtrënguese dhe variantit të ri Omicron”, tha ai.

Paga minimale

Kryeministri njoftoi se me fillimin e muajit janar, paga minimale për qytetarët e Shqipërisë është bërë 32 mijë lekë.

Ky vendim  ka hyrë në fuqi, pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

Gjatë vitit 2021, paga minimale ishte 30 mijë lekë, i vendosur nga Këshilli i Ministrave, më 18 dhjetor 2020.

Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj.

Theksin, kryeministri e vuri dhe te tatimi mbi pagën, e cila, që nga 1 korriku i i 2022-shit, të gjithë të punësuarit me të ardhura nga 150- 200 mijë lekë, do të tatohen në 13%, nga 23% që ishte më parë.

Kriza energjetike

I pyetur nga publiku për krizën energjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, ai tha se, “Shqipëria po ia del” të përballet me krizën energjetike.

Por sipas tij, “pa e lënë atë të rrëshqasë te qytetarët apo bizneset”.

“Kjo përballje ka kosto”, tha Rama duke vijuar me arsyetimin për krizën energjetike.

Lajmi në përditësim