Pas tragjedisë së të dielës kur u mbytën në det, Manuela dhe Xhoana njihen shkurt si ‘vajzat e Zvërnecit”.
Në familjen e Manuela Maraj, e cila u mbyt tragjikisht në fundjavë bashkë me 25-vjeçaren Xhoana Cani dhe djalin nga Tetova, Benjamin Ferati, ka pllakosur zija.
Larguar vetëm rreth 3 muaj më parë nga fshati Babicë, 27-vjeçarja jetonte së bashku me të shoqin dhe dy fëmijët e saj 9 dhe 4 vjeç në një pallat në lagjen “Pavarësia”, shkruan “Panorama”. Mbarime Maraj, vjehrra e Manuelës dhe gjyshja e Xhoanës, nuk mundet t’i mbajë lotët për këtë tragjedi të ndodhur në familjen e saj.
“Vetëm pak ditë më parë, Manuela më tha se kishte gjetur një vend shumë të mirë për plazh. Kishin shkuar në Zvërnec për plazh dhe duke eksploruar zonën kishin gjetur edhe këtë vend që paska qenë i mallkuar. Manuela më ka lënë dy fëmijë jetimë, më ka lënë djalin, burrin e saj. Edhe mbesa ka lënë një fëmijë të mitur. Kjo është një tragjedi shumë e madhe për familjen time që nuk gjej fjalë ta përshkruaj”, thotë ajo.