Të hënën e 27 shtatorit, nis zyrtarisht viti i ri shkollor parauniversitar 2021-2022.

Edhe pse mësimi do të zhvillohet fizikisht në shkolla, ambientet mësimore do të jenë nën masa të përcaktuara anti-COVID.

Mësuesit janë të detyruar që të kenë certifikatë vaksinimi ose test të përjavshëm ndaj COVID-19.

Në klasa është e detyueshme mbajtja e maskës, distanca si dhe mësimi zhvillohet me orë fikse – nga klasa e parë deri në klasën e pestë – mësimi do të zhvillohet me dy turne në orare të ndryshme.

Më herët, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, uroi nxënësit që nisin vitin e ri shkollor, përmes një video-mesazhi.

Ajo ka theksuar se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për ta nisur “mbarë” këtë vit shkollor.

Kujtojmë që, nxënësit prej 1 shtatorit kanë zhvilluar mësime plotësuese për të përsëritur temat e vitit të kaluar.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar përzemërsisht çdo nxënës që nis sot vitin e ri shkollor.

“Shumë suksese e mbarësi në këtë rrugëtim të bukur dijeje për të ardhmen”, shkruan kryeministri në median sociale “Facebook”.

Në video-n e publikuar, Rama uron me pamjet e shkollës 9-vjeçare të rikonstruktuar në Mangull të Petrelës.

Ai shkruan se zilja e parë do të bjerë për disa nga shkollat e reja të rindërtuara pas tërmetit.

Ndryshimet:

Gjuha angleze do të jetë e detyrueshme që në klasën e parë. Edhe gjatë fjalës së mbajtur nga foltorja e Kuvendit, Kushi ka folur mbi reformat për arsimin, në katër vitet e ardhshme.

Ajo ka theksuar se do të ketë risi në sistemin arsimor, sa i përket programit të sporteve, arteve, zhvillimit të kompetencës digjitale dhe futjes së gjuhës angleze që nga klasa e parë.

Ndërsa librat janë falas për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën.

Klasat e ciklit fillor dhe atij të ulët, kanë marrë librat shkollorë falas, siç është lajmëruar edhe më herët.

Pjesë përftuese e kësaj skeme, do të jenë edhe fëmijët në nevojë për klasat 10-12. Ndërsa ata nga klasa e parë deri në të nëntën, do t’i përfitojnë të gjithë falas.

280 mijë nxënës, janë pjesë e gjithë kësaj skeme. Ndërsa librat, janë botime nga prestigjiozët botërorë si “Oxford”, “Pearson” dhe “Cambridge”.

27 shtator

Ministrja Kushi njoftoi më 20 gusht se viti i ri shkollor nuk do të fillojë më 13, por 27 shtator.

“Duke vlerësuar dhe shqyrtuar me kujdes shqetësimet dhe sugjerimet e ardhura nga mësuesit dhe prindërit, vendosëm të zgjasim periudhën e mësimit plotësues deri në nisjen e vitit të ri shkollor, jo më 13 shtator, por më 27 shtator 2021”.

Sipas ministres, gjatë periudhës së mësimit plotësues, që nisi më 1 shtator, nxënësit nuk ishin të detyruar të shkonin çdo ditë në shkollë, ndërsa mësuesit dhe të gjitha stafet shkollore u paraqitën me kohë të plotë për të ofruar krahas mësimit plotësues.

Pas dy vitesh mësimi online, këtë vit të ri shkollor – mësimi do të zhvillohet me prezencë të nxënësve në shkolla.

/Albanianpost.com