Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, njoftoi nisjen e rekrutimeve për kadetët e shkollave ushtarake, ndërsa prezantoi një plan të zgjeruar për fuqizimin e kapitalit njerëzor dhe zhvillimin e industrisë ushtarake në vend.

Gjatë një konference për mediat, Vengu bëri të ditur se brenda këtij muaji do të përzgjidhen fillimisht 40 kandidatë, të cilët do t’i nënshtrohen një testimi rigoroz, për të përzgjedhur më pas 10 më të mirët. Sipas tij, ky proces synon të rrisë cilësinë e formimit profesional dhe të përgatisë kuadro të specializuara për nevojat e mbrojtjes.

Ministri theksoi se aktualisht janë hapur 326 vende pune, ndërsa rekrutimet kanë nisur. Nga këto, 49 pozicione janë për inxhinierë dhe 68 për teknikë, të cilët synohet të përzgjidhen nga shkollat profesionale më të mira në vend. Paralelisht, 40 ekspertë janë duke u trajnuar, në një proces që lidhet drejtpërdrejt me rritjen e kapaciteteve prodhuese.

Sa i përket kalendarit të prodhimit, në muajin prill parashikohet nisja e prodhimit të dronëve, në maj ai i tekstileve, fillimisht për uniformat e Policisë,  ndërsa në korrik është vendosur si objektiv fillimi i prodhimit të municioneve ushtarake.

“Fillojmë këtë muaj rekrutimet për kadetët e shkollave. Do të përzgjidhen fillimisht 40 vetë do kalojnë një testim rigoroz dhe nga ata do të përzgjidhen 10. Kjo më jep mundësin që të them disa fjalë për rritjen e kapitalin njerëzor për industrinë ushtarake. Kemi 326 vende pune dhe kanë filluar rekrutimet. Nga këto 49 janë inxhinierë dhe 68 janë teknikë që synojmë ti marrim nga shkollat profesionale më të mira në vend. Kemi 40 ekspertë që të po i trajnojmë. Trajnimi i suksesshëm lidhet me prodhimin e mëtejshëm.

Në prill kemi prodhimin e dronëve, në maj kemi prodhimin e tekstileve. Synojmë që të kemi fillimisht prodhimin për policët. Në korrik është data që i kemi vendosur vetes për prodhimin e municioneve ushtarake. Një element tjetër shumë i rëndësishëm është që të integrojmë kompanitë tona me ato ndërkombëtare. Në zinxhirin tonë ne kemi edhe përfshirjen e kompanive të mëdha. Në mënyrë që të kemi produkte të certifikuara dhe të marrim sa më shumë dije. Elementi i fundit, është përmbyllur negociata për findkatierit, për prodhimin e anijeve në Pashaliman, një vit e gjysmë që punojmë në këtë drejtim. Një arritje të Forcat Detare”, tha ministri Vengu.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *