Inicimi i Projektligjit nga presidenti Hashim Thaçi, për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës, ka ngjallur reagime të partnerëve strategjik të Kosovës si SHBA dhe NATO, sipas të cilëve transformimi i FSK-së, duhet të bëhet me ndryshime kushtetuese, raporton KosovaPress.
Por, përfaqësues të partive politike dhe zyrtarë institucional, pohojnë se kjo gjë është e pamundur, meqë qëndrimi i deputetëve serbë kundër ndryshimeve kushtetuese, mbetet i pandryshuar dhe se transformimi mund të bëhet tani për tani, vetëm përmes këtij Projektligji.Rexhep Selimi nga Vetëvendosje thotë se ata janë pro krijimit të ushtrisë, pavarësisht a bëhet me ndryshime kushtetuese apo me Projektligjin e iniciuar ditë më parë nga presidenti Thaçi.
Edhe Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën thotë se ata janë për Projektligjin e iniciuar nga presidenti për transformimin e FSK-së në ushtri.
Ndërsa thotë se pavarësisht reagimeve të NATO-s e SHBA-ve, Kosova tanimë duhet të sillet si shtet dhe ta formojë ushtrinë e saj, pasi që serbët nuk miratojnë ndryshimet kushtetuese, për formimin e ushtrisë së Kosovës.
Por, më të kujdesshëm rreth kësaj çështje, janë deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, parti kjo që është në koalicion qeverisës me PDK-në, të cilën e udhëhoqi Thaçi deri në inaugurimin e tij për president të Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri thotë se ushtria e Kosovës, duhet të bëhet tashmë, por gjithmonë në koordinim me partnerët strategjik të Kosovës, siç është NATO dhe SHBA-të, me qëllim që jetë një ushtri funksionale dhe jo vetëm ushtri në letër.
Beqiri thotë se duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për formimin e ushtrisë, sepse Kosova nuk mund të mbetet peng i shantazheve dhe kushtëzimeve të Listës Serbe.
Megjithatë, sipas tij tashmë kur projektligji ka shkuar në Qeveri, duhet të bëhen të gjitha konsultimet dhe kontaktet e nevojshme me akterët e rëndësishëm, në mënyrë që të kemi një projektligj, që do të ishte i pranueshëm dhe i përkrahur dhe nga parterët strategjik të Kosovës.LDK sipas tij nuk do të bëhet pengesë që të bëhet ushtria mirëpo sipas Beqirit jo pa partnerët strategjikë.
Pak ditë më parë, presidenti i vendit Hashim Thaçi, i dorëzoi kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, Projektligjin, i cili mundëson transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës. Një ditë më vonë, Kryesia e Kuvendit në një mbledhje të mbajtur, ka proceduar këtë Projektligj në Qeverinë e Kosovës për të pritur pastaj kthimin e tij në kuvend për të miratuar. E tërë kjo ka hasur në kundërshtim të partnerëve strategjik të Kosovës si NATO dhe SHBA, të cilët e kanë cilësuar këtë si një veprim të njëanshëm të institucioneve të Kosovës, duke pohuar se transformimi i FSK-së duhet të bëhet me ndryshimet kushtetuese.