40 dosje me 15 të arrestuar për drogë, këto thuhet të jenë dëmet e zjarrit të rënë pas mesnatës së djeshme në Drejtorinë e Policisë Shkencore. Nga ky zjarr, i cili përfshiu koridorin e katit të dytë të laboratorit dyshohet të ketë shkatërruar dhjetra prova për ngjarje kriminale që kryesisht lidhen me drogën.

 Ndonëse policia thotë se zjarri ka rënë në koridoret e katit të dytë të laboratorit, duke mos debërtuar në dhomat ku mbahen provat, burimet thonë s mund të jenë djegur provat e 40 dosjeve me 15 të arrestuar, kryesisht për lëndë narkotike.

 Opozita, e cila e denoncoi e para skandalin e ndodhur në orën 02:15 të mëngjesit të djeshëm, shprehet se aty janë shkatërruar prova shumë të rëndësishme.

 Madje, sipas opozitës, zjarri ka qenë i qëllimshëm. Në fakt kjo mundësi nuk përjashtohet as nga grupi hetimor i cili u ngrit menjëherë pasi mori sinjalizimin për ngjarjen dhe që drejtohet nga prokurorja e gatshme e Prokurorisë së Tiranës.

 Pjesë e grupit hetimorë janë edhe ekspertë të OSHEE, të shërbimit zjarrfikës, oficerë të Policisë Gjyqësore të Komisariatit Nr.2, etj.

 Ajo që po e bënë edhe më të besueshëm opsionin e opozitës, për një zjarrvënie të qëllimshme, është fakti se në hetim janë përfshirë edhe specialistë të Shërbimit të Çështjeve dhe Ankesave të Ministrisë së Brendshme.