Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, në një intervistë për gazetarin Mustafa Nano, ka “surprizuar”, kur ka pranuar që brenda radhëve të deputetëve të mazhorancës, ka disa grupe deputetësh të cilët pavarësisht nga qëndrimi zyrtar i shumicës, nuk do të donin të votonin reformën, kaq të rëndësishme.

 

Pyetjes së gazetarit  se “a ka njerëz nga mazhoranca që do të donin të mos e votonin reformën, por nuk kanë çfarë të bëjnë?”, Xhafaj i është përgjigjur, me plot gojë: Po, besoj se po.

 

Pas këtij konstatimi, ai shpjegon, pa përmendur emra të përveçëm deputetësh, apo grupet parlamentare ku bëjnë pjesë, se si grupohen këta kundërshtarë të reformës, brenda ligjvënëse të mazhorancës.

 

“Mendoj se ndahen (kundërshtarët e reformës) në dy grupe. Grupi i parë është ai më i zakonshmi, që ka një lloj skepticizmi për këtë që po ndodh dhe gjithë këtë sakrificë, pra sesa ja vlen të bëhet. A do ta sjellë dhe do bëjë realisht ndryshimin? Ky është një shqetësim i ligjshëm dhe mendoj se duhet mirëkuptuar”, thotë kryetari i Komisionit të Posaçëm, për grupin e parë antireformë brenda rradhëve tw shumicës, për të cilin lë të nënkuptohet se pavarësisht se janë kundër, nuk do të përbëjnë rrezik devijimi vote, në datën 21 Korrik.

 

Por në vijim, Xhafaj zbulon edhe grupin e dytë brenda llojit, i cili sipas tij është kundër Reformës në Drejtësi, sepse ju intereson sistemi i kapur dhe i korruptuar dhe e konceptojnë atë, si një mundësi për të përfituar sepse, kanë radhën tani që janë në pushtet. Ja çfarë thotë Xhafaj, i cili njëkohësisht është, edhe eksponent i lartë politik i Partisë Socialiste: “Grupi tjetër janë njerëzit (deputetë të mazhorancë) të cilët e kuptojnë sistemin, si sistem korrupsioni. Pra dje ishin ata (opozita e sotme), sot jemi ne. Që do të thotë se ne mund ta shfrytëzojmë dhe përdorim korrupsionin që ofron qeverisja, nëse kemi kontrollin e radhës mbi pushtetin gjyqësor apo prokurorinë”.

 

Interesante këto konstatime. Ndërkohë që kreu i mazhorancës Rama, nuk lë rast pa fajësuar opozitën se nuk e do reformën, (Ajo në fakt, me të drejtë apo jo, është dakord me gjithë draftin përfundimtar, por kërkon vetëm si hap të fundit, edhe implementimin aty të nenit 88 të Venecias), brenda mazhorancës paska një grup deputetësh që nuk e duan fare atë, sepse u prish statukuonë e pasurimit, nëpërmjet korrupsionit