Briseida MEMA
Tiranë (AFP) – Të mbërthyer në banesën e tyre në Tiranë nën një bllokim të koronavirusit, 81-vjeçari Osman Hoxha dhe familja e tij shënojnë qetësisht fillimin e Ramazanit, duke kujtuar epokën komuniste që kur praktikoje fenë nënkuptoje rrezikun e vdekjes.
Si shumë pjesë të botës, xhamitë në Shqipërinë me shumicë Myslimane janë jashtëzakonisht të zbrazëta ndërsa tavolina e darkës së iftarit ka më pak karrige se normalisht pasi familjet strehohen në shtëpi për të frenuar përhapjen e virusit.
Për gjeneratat e vjetra, ambjentet intime në mënyrë të pashmangshme ngjallin kujtime se si u detyruan ta mbanin me forcë besimin e tyre nën mbretërimin e gjatë dhe brutal të diktatorit të ndjerë komunist, Enver Hoxha,i cili e nxori jashtë ligjit fenë.
“Duhej të luteshim prapa mureve të shtëpive tona nga frika se mos përfundonim në burg ose të dënoheshim me vdekje”, kujton Osmani, i veshur me një kapele të zezë dhe jelek gri, pas ditës së parë të agjërimit në shtëpinë e tij në Tiranë.
Dekada më vonë, vendi përballet me një lloj tjetër armiku.
“Gjatë komunizmit duhej të vëzhgonim agjërimin në mënyrë diskrete sepse nëse dikush do të na shihte kjo mund të na kushtonte jetën, ndërsa sot rrezikojmë vdekjen nga një virus që mund t’na vrasë”, thotë gruaja e Osmanit Minirja, 74 vjeç.
Enver Hoxha,diktatori mbiemrin e përbashkët të së cilit e ka familja e Osmanit, adoptoi moton Marksiste që feja ishte “opium per popullin” dhe shpalli Shqipërinë vendin e parë ateist në botë në vitin 1967.
Nën mbretërimin e tij 40-vjeçar, qindra xhami dhe kisha u shkatërruan ose u shndërruan, dhjetëra priftërinj dhe klerikë muslimanë u dënuan me punë të rëndë dhe shumë të tjerë vdiqën në burg ose u vranë nga skuadra e pushkatimit.
Në total, rreth 6.000 njerëz u ekzekutuan nga regjimi paranojak për krime të supozuara që shkonin nga tradhti deri në udhëtimet jashte vendit ose praktikimin e një besimi.
Dhjetëra mijëra të tjerë u dërguan në burgje ose kampe për punë të detyruar ose internim.
Midis tyre ishte edhe Osmani.
Si i ri në vitet 1960, ai u detyrua të punojë në një gurore pasi vëllai i tij u largua nga vendi, duke sjellë dyshime për pjesën tjetër të të afërmve të tij.
Por familja sidoqoftë e ushqeu besimin e tyre, duke praktikuar Islamin në fshehtësi derisa shtëpitë e adhurimit ishin në gjendje të rihapeshin në 1990,pak para se të rrëzohej komunizmi.
Që atherë Vendi ka parë një ringjallje fetare.Më shumë se gjysma e popullatës 2.8 milion identifikohen si Myslimanë,kryesisht me një qëndrim të moderuar,ndërsa rreth 30 përqind janë të krishterë Katolikë dhe Ortodoksë.
– Teknologjia ndihmon –
Në dekadat e fundit, familja e Osmanit ka festuar vaktin e iftarit me rreth 20 vetë në tryezën e tyre.
Këtë vit grupi ka zbritur në shtatë,mes tyre gjyshërit, djali i tyre Agron dhe gruaja dhe fëmijët e tij.
“Do doja që kjo tryezë të ishte e madhe dhe shtëpia ime të ishte e mbushur me miq dhe të afërm,” tha Minirja ndërsa përgatiti darkën me nusen e saj Rezarta.
“Agjërimi kur je në shtëpi është më i vështirë sepse gjithçka që mendon është të hash”, shtoi ajo me një buzëqeshje, duke kërkuar një shpërndaprje tërheqëse të pilafit dhe mishit, sallatave, perimeve të pjekura dhe hurmave të Arabisë.
Pas iftarit, Osmani udhehoqi djalin e tij dhe dy nipër, të moshës 11 dhe 13 vjeç, në lutje në dhomën e ndenjes.
Tani në demokraci,Shqipëria ka ndjekur pjesën më të madhe të botës në frenimin e lirive individuale për të luftuar virusin, i cili ka marrë gati 30 jetë.
Sidoqoftë, teknologjitë e reja po lehtësojnë vetminë.
Përpara vaktit të tyre, familja e Osmanit nxori telefonat celularë për të folur me të afërmit e tyre të tjerë me video-thirrje.
“Falë teknologjisë dhe rrjeteve sociale, praktikisht jemi më afër se kurrë me miqtë tanë,” tha Agroni.
Nëna e tij shtoi: “Gjëja e rëndësishme është të jesh me shëndet të mirë, sepse ne ende mund të respektojmë të gjitha ritet dhe praktikat fetare në familje”.