Mbetjet toksike, të nisura me anije drejt Tajlandës në korrik të këtij viti kanë dalë nga kompania Kurum, me aktivitet në Shqipëri. Prokuroria e Durrësit nga hetimet e deritanishme për këtë çështje, ka konstatuar se janë mbetje të shitura nga kompania “Kurum” si oksid hekuri për një kompani të licensuar për eksport të mbetjeve.
Disa ditë më herët, përmes një deklarate Kurum e ka përgënjeshtruar këtë fakt, duke thënë se ajo nuk eksporton mbetje të rrezikshme, por as nuk ka mohuar se prodhon mbetje të tilla. Kurum thotë se ka lidhur kontrata e marrëveshje me shoqëri shqiptare apo të huaja, të licencuara sipas ligjeve ne fuqi, për menaxhimin e këtyre mbetjeve.
Në rastin konkret kjo është e vërtetë. Subjekti të cilit i ka shitur mallin Kurum, sipas hetimeve të prokurorisë së Durrësit, është kompania “GS Mineral DOO”, me adresë në Kroaci. Mbetet të verifikohet nga hetimet nëse kjo kompani e dinte apo jo që po blinte mbetje të rrezikshme toksike, si hiri i oxhaqeve metalurgjike, siç dhe rezultoi ngarkesa e kthyer e pas nga Tajlanda. Por Kurum që i shiti, po.
Abc News ka mësuar se në dëshminë e dhënë në prokurori gjatë marrjes në pyetje administratorja e kësaj kompanie Gjovana Sokolaj ka deklaruar se ka kërkuar nga Kurumi një sasi prej 2000 ton dioksid hekuri dhe ka dërguar një sasi parash paradhënie për këtë produkt. Sipas saj, është dërguar një mostër për analiza në laborator në Kroaci, nga përgjigja e të cilave në datë 21 prill ka rezultuar se produkti është dioksid hekuri dhe nuk është toksik.
Po sipas dëshmisë së administratores së kompanisë që ka blerë mbetjet te Kurum, gjatë këtij viti ajo ka kryer 2-3 eksporte me destinacion Tailandën dhe nuk ka pasur asnjë problem.
Për të nxjerrë të vërtetën e këtij skandali ka hapur një hetim prokuroria e Durrësit dhe këtë rast tani e ka në dorë drejtësia. Vetë kompania Kurum pas deklaratës së bërë disa ditë më parë, po hesht publikisht, ndërsa i vetmi që po e mbron më shumë se ajo veten është Sali Berisha, që përbetohet se mbetjet e transportuara nuk janë të Kurum. Arsyet e këtij zelli i di vetëm Berisha e ndoshta me hetim mund t’i nxjerrin dhe organet e drejtësisë./