Kopshti privat ‘Diren’ ku u dhunua fëmija 3 vjeç nga administratorja Anjeza Shabani, rezulton që të jetë i palicensuar.

Ky fakt është bërë i ditur sot nga ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, e cila tha para gazetarëve se do nisin verifikimet edhe nëse ka abuzime nga Ministria e Arsimit në lidhje me inspektimet për këtë kopsht.

“Akte të tilla jo vetëm të marrin dënimin e duhur, por të shërbejnë që institucionet shtetërore të nisin një inspektim për të kaluar në vrimë të gjilpërës standarde dhe sjelljet e dënueshme.

Personi në fjalë jo vetëm do marrë dënimin e merituar, por ne do të bëjmë publike në pak çaste të gjithë situatën. Është një institucion i palicensuar, po hulumtojmë edhe nëse ka rast abuzimi nga Ministria e Arsimit”, tha ministrja Nikolla.

Ndërkohë, administratorja Anjeza Shabani që ishte filmuar duke ushtruar dhunë mbi fëmijën autik, u arrestua mbrëmë dhe deklaroi në polici se “video është e paplotë”. Sipas saj, ajo edhe e përqafonte e puthte fëmijën pasi e qëllonte. Rasti skandaloz u denoncua mbrëmë nga emisioni investigativ ‘Stop’ në televizionin ‘Klan’.