Mbledhja e parë e komisionit hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS, ka nisur me përplasje midis kryetarit Ervin Salianji dhe nënkryetarit socialist Toni Gogu.
Gogu tha se ky komision duhet të qëndrojë në shinat e ligjit, duke refuzuar të marrë në konsideratë propozimin e demokratëve për të thirrur si dëshmitar, kreun në arrest shtëpie të Rithemelimit, Sali Berisha.
“Është në nderin e këtij komisioni dhe të integritetit tuaj që ne të qëndrojmë në shinat e ligjit. Planin e hetimit në zbatim të ligjit e propozojnë ekspertët. Natyrisht që edhe ne kemi të drejtë të propozojmë thirrje dëshmitarësh“, tha Gogu.
Më tej, Gogu iu drejtua Salianjit, duke i thënë që të mos bëhet gjyqtar i Sali Berishës.
“Unë e kuptoj që juve në ëndrrën tuaj doni të bëheni gjyqtar i Berishës, mbase doni t’i jepni edhe pafajësi, por ky komision nuk e ka në veprimtari këtë gjë. Nuk është misioni ynë të nxjerrim nga mjedise kolegët tanë ku vuajnë masa që cakton drejtësia. Mos ta kthejmë këtë komision në qesharak“, deklaroi Gogu./ a2cnn