Frrok Çupi/
Ky njeri mund të quhet edhe ‘pd-ist’, edhe ‘ministër teknik’, edhe ‘amerikan’, edhe ‘socialist’. Por në fakt sa ç’është nga pak prej secilës, aq nuk është as pd-ist, as amerikan, as socialist. Paralelja më e mirë mund të bëhej duke e krahasuar me personazhin e romanit të Mark Twen, ‘Një amerikan në oborrin e Mbretit Artur’. Personazhi ynë- njësoj si amerikani i shekullit 20, pas një goditjeje që pësoi, u kthye prapa në kohë në Anglinë e mbretit Artur të shekullit 6.
A ndodh kështu?
A do të jetë Dritan Demiraj anëtar i kabinetit të qeverisë ‘Rama 2’?- ky është debati i ditës, i ngritur fillimisht nga media, por edhe nga disa indicie të tjera. Po të ndodhë kjo, atëherë në një kuptim, ministri Demiraj do të kthehet në kohë, nga shekulli 21 në një shekull më herët (!).
Ky është perceptimi i disave, sidomos i disa militantëve të ngurtë që mendojnë se politika ka principe dhe se ‘një ministër demokrat’ nuk mund të ndërrojë fytyrë e të bëhet ‘ministër socialist’. Ky është perceptim i gabuar për kohën e tanishme. Në radhë të parë se Dritan Demiraj nuk është ‘demokrat’. Pse u persekutua një herë nga një ministre socialiste- kjo nuk do të thotë se u bë menjëherë demokrat. PD, vitet e fundit e ka ngritur në strategji këtë, dmth., se po të jesh ‘armik i armikut tim’…, je menjëherë anëtar i PD. Kjo ka ardhur për shkak të amullisë së krijuar brenda PD-së, e cila ‘rri nën hijen e pemës e mban thesin’ që t’i bien ca anëtarë dhe ca ‘fitore’.
Por edhe sikur të ishte betuar si ‘demokrat’, kjo përsëri nuk e pengon që të bëhet ministër në qeverinë socialiste ‘Rama 2’. Madje bën edhe një shërbim të madh ndaj kryetarit të PD. Me këtë rast do të zbatohet një pikë e rëndësishme e marrëveshjes së fshehtë Rama- Basha që të qeverisin ‘së bashku’. Sepse Basha nuk e bën dot më haptazi aleancën me Ramën. Zoti Demiraj do të jetë i dërguari i PD në qeverinë socialiste, por kjo do të mbulohet me frazat: “Ja na iku nga PD, nuk e dërguam ne, vetë e bëri!”, etj. Kush i ha këto kumbulla?! Sidoqoftë, qeveria ‘Rama 2’ do ta thotë serbes para botës se ‘në qeveri kemi ministër nga PD’. Do të jetë një fenomen si me ‘Pal Melyshin’- një hero i regjimit komunist, që rekrutua në bandat e armikut, por edhe atje ndodhej në shërbim të komunizmit.
Barra bie mbi ‘Pal Melyshin’ e ri, dmth., ministrin Demiraj. Nuk i dihet sa i zoti do të jetë ai për të fshehur faktin se është i deleguar i PD-së në qeverinë ‘Rama 2’. Sinjalet e para i ka dhënë: Para një muaj e ca, ministri i Brendshëm ‘teknik’ i PD, zoti Demiraj, deklaroi që nga ‘qielli i pastër’ se në Shqipëri “nuk kultivohet më kanabis”. Ishte një kamxhik i rëndë në fytyrën e PD-së, e cila gjithë strategjinë opozitare e kishte ndërtuar mbi ‘praninë e kultivimit të drogës’ në Shqipëri. Pas 4 vjet opozitë dhe pas 90 ditë proteste ‘të të mjerëve’ në Çadër, tani del se PD kishte luftuar me mullinjtë e erës. Kryetari i PD, Basha, nuk bëri asnjë deklaratë kundërshtuese. Lidhja ishte e trefishtë: Rama- Basha- Demiraj. Akti i ministrit ‘teknik’ mati pulsin e Demokratëve, të cilët nuk reaguan për shërbimin që bëri ministri Demokrat ndaj Qeverisë Socialiste. Tani ndodhet e shtruar fusha ku zoti Demiraj do të kalojë lehtësisht nga ministër i PD-së, në ministër të PS. Jo pse do të bëhet socialist, por se edhe socialistët e thjeshtë do ta pranojnë Demokratin për ‘provën që dha’. Ndërsa kryeministri Rama do ta mburrë pa pushim si një ‘prurje të PD-së’ sipas marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Janë të gjitha ngjashmëritë me personazhin e shkrimtarit amerikan Mark Twen. Ai përshkroi një ‘amerikan’ që kapërceu në dy kohë me diferencë 14 shekuj. Ministri Dritan Demiraj, si ministër i qeverisë ‘Rama 2’ do të jetë ‘amerikani’ në oborrin e ‘mbretit Artur’. Më shumë se socialist, ose se demokrat, Demiraj është një ‘amerikan’. Ai është specializuar në Shtetet e Bashkuara si njeri i ndërhyrjeve ushtarake, dhe është mbajtur nën kujdes prej ambasadës së SHBA në Tiranë. Tani që bëhet ministër në qeverinë që po vjen, ky ka besimin e ambasadës së SHBA, ka edhe etiketën ‘amerikan’. Kjo ndihmon edhe Ramën edhe Bashën për të kamufluar marrëveshjen mes tyre. Por kryeministrin Rama e ndihmon akoma më shumë: Ky, sa herë të hapet debati mbi kanabisin, do të dalë ballëlart: “Ministri është i Opozitës dhe i besuar i Amerikës”.
… Një urë e mahnitshme ku kalohet si në trans: Në dy kohë, në dy parti, mes nesh dhe aleatit kryesor, mes drogës dhe jo drogës, mes marrëveshjes së fshehtë dhe ndershmërisë politike… Një krijesë sipas Twen.
Veritas.com.al/