Një incident i madh ka ndodhur në Kanalin Anglez në orën 3 të mëngjesit, teksa një varkë e vogël me 30 emigrantë është mbytur. Menjëherë ka nisur operacioni i shpëtimit, ku janë përshirë dy helikopterë, varka RNLI dhe varka të tjera të marinës britanike dhe franceze. Operacioni i shpëtimit mësohet se është duke u zhvilluar në brigjet e Kentit, pranë Dungeness.
“Rojet bregdetare aktualisht po koordinojnë operacionin pas incidentit të një varke të vogël jashtë Kentit, duke punuar me Marinën, Forcën Kufitare, Policinë e Kentit dhe partnerë të tjerë. Ne kemi dërguar varkat e shpëtimit Dover, Dungeness, Hastings dhe Ramsgate RNLI dhe ekipet e shpëtimit të rojës bregdetare Deal, Dungeness dhe Folkestone, së bashku me komandantin e zonës së rojes bregdetare”- njoftoi një zëdhënës i Agjencisë.
“Ne jemi në dijeni të një incidenti në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar dhe të gjitha agjencitë përkatëse po mbështesin një përgjigje të koordinuar. Detaje të mëtejshme do të jepen në kohën e duhur”, tha një zëdhënës i qeverisë britanike.
Ndërkohë ka dalë harta e vendit ku mendohet se është mbytur varka me emigrantë pranë Kentit.
Incidenti vjen vetëm disa orë pasi kryeministri Rishi Sunak premtoi të sjellë ligje të reja për të trajtuar imigracionin e paligjshëm, ndër të cilat përfshihej një marrëveshje me qeverinë shqiptare për qytetarët shqiptarë që tentojnë të kalojnë në mënyrë të paligjshme Kanalin Anglez.