(FOTO: Nirmala Sitharaman, ministre e mbrojtjes)/
Kryeministri indian, Narendra Modi emëroi sot një grua në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, e para në këtë post kyç.
Nirmala Sitharaman do të marrë kryesimin e Ministrisë së Mbrojtjes që ishte mbajtur për shumë muaj nga Arun Jaitley- përveç postit të tij në krye të Ministrisë së Financave.
Një grua vendoset në krye të ‘Mbrojtjes’ ndërkohë që India është përfshirë në një mosmarrëveshje me Kinën përsa i përket rrafshnaltës së Himalajeve dhe tensionet janë ende më të larta në Kashmir, një territor i ndarë me Pakistanin.
Sitharaman ka mbajtur postin e sekretares së Shtetit për Tregtinë. Qeveria indiane numëron tashmë gjashtë gra, mes të cilave Sushma Swaraj në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
“Komiteti i sigurisë së qeverisë, që numëron vetëm katër ministra, ka tashmë dy gra dhe këto do të vendosin në mënyrë të barabartë me burrat për çështjet e sigurisë së vendit”- theksoi Sitharaman për stacionin televiziv indian News18.
“Ky është një mesazh i mrekullueshëm për të gjithë vendin që merr Indinë për model dhe për të gjithë ata që e vëzhgojnë Indinë duke pyetur: Çfarë po ndodh me gratë në Indi?”, shtoi ajo. Në vitet 1970 dhe 1980, Indira Gandhi, e cila ishte në atë kohë kryeministre, ka mbajtur dy herë (për një kohë të shkurtër) postin e ministres së Mbrotjes. Ajo u vra në vitin 1984.