Frrok Çupi/
Mund të ishte një sllav i admiruar në dy shtetet; dhe ka qenë. Edhe kjo është pasqyrë e Internacionalizmit. Marshalli Josif Broz Tito ishte ‘shpëtimi’ e udhëheqjes në Tiranë, dhe po kështu në Prishtinë…
Ndërsa një kosovar i ri, ministër, sulmohet në të dy shtetet.
Edhe kjo është pasqyrë e Internacionalizmit. Gent Cakaj, një djalë 28 vjeçar nga Kosova, i cili jeton në Tiranë, është propozuar nga kryeministri si Ministër i Jashtëm. Të dy palët ‘e shqyen’ kur e panë aq të ri dhe të pa armë, siç kishin parë Marshallin Tito.
Pse e sulmuan ‘për vdekje’ kosovarin Gent Cakaj?
Fillimisht presidenti i Republikës tha se ‘është shumë i ri, veç 28 vjeç’. Por shpejt iu kujtua vetja që 23 vjeç kishte qenë deputet dhe 25 vjeç kryeministër. Rrotull nesh, në Europë, ka plot modele të kësaj moshë, që nga kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz.
Në shtetin tjetër, Kosovë, e sulmuan thuajse të gjithë politikanët e rënë. Kryeministri Haradinaj, i ardhur trimërisht nga Lufta, u qullos e nuk mundi të flasë serbes e të deklarojë se e përkrah një djal kosovar që bëhet ministër në Shqipëri. Por veç tha ‘e kam mik Metën’.
Partia politike opozitare që u krijua në vitrin 1990, pro- Kosovës dhe me betim kundër internacionalizmit proletar komunist, PD, tani u sul në mënyrën më të pamëshirshme kundër djaloshit kosovar. Këta e quajtën ‘shërbëtor’, e quajtën ‘mumje’, e quajtën ‘fëmijë’, dhe më në fund i kërkuan zyrtarisht presidentit që të bënte atë që vetë kishte në mendje: “Mos dekreto kosovarin…”.
Vetë gruaja e Metës, që është edhe first- lady, edhe kryetare e Opozitës, e quan emërimin e kosovarit ministër si ‘përpëlitjet e fundit të një diktatori të sëmurë’.
Ish presidenti Nishani e quan ‘akt poshtërues për shtetin shqiptar’.
Media pranë presidentit aktual, Media 24, me pronar një skraparlli që thonë se punon paratë e Metës, Irfan Hysenbelliu, nuk pushon së përqeshuri djaloshin kosovar si ministër i Jashtëm. Sot ka shkruar se ‘edhe pse nga Kosova, bën si kryediplomat dhe thotë ‘atdheu ynë’. Sipas zotit Hysenbelliu, një kosovar me shtetësi shqiptare nuk ka të drejtë të thotë ‘atdheu ynë’; ndërsa një skraparlli me shtetësi shqiptare e ka këtë të drejtë ekskluzive…
Internacionalizmi, si një ide komuniste që i krijoji botës problemet më të mëdha, është krijuar jo vetëm nga shtetet, por edhe nga emocionet; ose nga emocionet dhe nga shtetet. Njerëz të ngarkuar me emocione të vjetra komuniste, me nivele injorantësh, janë gati që të ëprqafojnë internacionalizmin politikisht. Aq më keq kur këta kanë fuqi shtetërore.
Këta janë gati të shkojnë e të vijnë në Kosovë, të hipin në malet e Kosovës, të qajnë me lot gëzimi për bukuritë e Kosovës…, por në fund ‘thikën’ internacionalsite e mbajnë gjithnjë prapa zverkut të Kosovës.
‘Na sillni o njerëz, një të huaj, që të mos jetë Kosovar, dhe ta votojnë të gjithë këta kopukë!’
Veritas.com.al/