(FOTO: Deputeti Kopliku në fushatë elektorale)

 

Natën e 29 nëntorit, shtëpia e deputetit Namik Kopliku, në Tiranë, është  plaçkitur.

Shtëpia ndodhet në rrugën “Myslim Shyri” në Tiranë. Deputeti tha se hajdutët kishin “përmbysur” gjithë plaçkat e shtëpisë duke kërkuar për sendet me vlerë. Dhe më në fund i gjetën dhe i morën; dmth., morën bizhuteri dhe para.

Akoma nuk është shpallur shuma e grabitur, por edhe mund të mos shpallet kurrë. Pasi- sipas zakoneve në politikë, një deputet (sidomos i partisë në qeveri) nuk tregon kurrë sa  para i kanë vjedhur.

Po të tregonte këtë, atëherë në rrugë të thjeshtë do të dilte cila është pasuria e deputetit, që mund të jetë edhe e fshehur para institucioneve të ligjit.

Prandaj mund të thuhet se hajdutët e nxjerrin “zbuluar” deputetin; gjë që nuk e bën dot as hetimi i prokurorit, as media. Jo vetëm se i zbulojnë shtëpinë dhe plaçkat, por edhe atë fshihet pas saj.

Jo vetëm pasurinë… Por në këtë rast lajmi i plaçkitjes iu sjell njerëzve para syve edhe ca gjëra që nuk shkojnë. Për shembull, zoti Kopliku është deputet i Shkodrës, por banon në Tiranë. Çfarë do të thotë kjo? Sigurisht, ligji nuk e ndalon, por as e këshillon që të ndahet kilometra larg  me votuesit e tij. Kjo është një sëmundje e rëndë e përfaqësimit të popullit në vendin tonë.

Por edhe diçka tjetër: Fqinjët janë krejt indiferentë çfarë ndodh përballë apartamentit të tyre. Edhe pse hajdutët kanë punuar gjithë natën, kanë hequr  “fishekun” e bravës- siç ka deklaruar vetë deputeti Kopliku,- askush nuk ka lëvizur nga banesa e tij. Madje edhe shenjat e vjedhjes janë konstatuar shumë vonë.

Por sidoqoftë, hajdutët mbeten fajtorët më të mëdhenj në këtë histori.

/Veritas.com.al/