Nga: Ylli Dylgjeri
Deklarata e z. Hodajt, një rrufe pa të vdekur
Ajo që ndodhi në Kongo disa vjet më parë, shkon përtej çdo lloj imagjinate. Gjatë një ndeshje mes Bena Tshadit dhe Basangës në provincën e Kasait, të 11 lojtarët e ekipit mik qenë viktimat e rrufeve që ranë në fushën e blertë, për shkak të një stuhie të papritur…
Ndonëse vdekja nga rrufeja ka gjasa të ndodhë më shpesh sesa besohet (ka më shumë mundësi që dikush të vdesë nga goditja e rrufesë sesa në një aksident ajror), gjëja më e çuditshme tek ky lajm është vdekja e të gjithë lojtarëve të ekipit mik, duke lënë praktikisht të paprekur ata të ekipit vendas.
Një hipotezë e hedhur nga hetuesit asokohe, lidhej me llojin e veshjes sportive të lojtarëve të goditur për vdekje.
Një stuhi e ngjashme si ajo e futbollistëve të Kongos, por fatmirësisht pa të vdekur, ra edhe në Shqipëri sot.
Përgjigja e zëvendës- Ministrit të Brendshëm për televizionin ZDF të Gjermanisë se ‘Shqipëria mund të presë deri 600 mijë refugjatë’, tronditi mbarë opinionin dhe politikën shqiptare.
Deklarata bëhej nga Nr. 2 i Ministrisë së Brendshme Shqiptare. Këtu deklarimi komplikohet. Duhet pranuar se në hierarkinë e administratës shqiptare zëvendës Ministri është Ministri në mungesë. Ndaj dhe deklarimet e këtij karakteri nuk mund të pranohen vetëm si hipotetike apo naive.
Aq më shumë kur pas këtij deklarimi boombë del me një shkrim mohues edhe Ministri për Diasporën, zoti Pandeli Majko. Aq më shumë kur ka edhe 600 mijë pyetje. Faleminderit zoti Majko.
Më tej, për analogji, nga kjo “rrufe” e Hodajt u godit vetëm pala shqiptare, apo ekipi shqiptar se pala tjetër ishte e informuar. Mediat sqarojnë se kancelaritë e shteteve si Austria, Gjermania, etj. janë të njohura me këtë lajm refugjatpritjeje nga pala shqiptare.
Si përfundim, cilin lajm duhet të besojmë si të vërtetë?
Sqarimi i MB se lajmi ishte hipotetik, nuk mjafton. Opinioni publik mbetet në pritje të një zëdhënieje nga kapiteni i skuadrës qeverisëse… Pritet sqarimi Kryeministror.
Veritas.com.al/