Asnjë kandidaturë për President të Republikës nuk është dërguar pranë Kuvendit të Shqipërisë, por votimi do të mbahet sipas parashikimit – edhe pse bosh – në orën 17:00.
 Komisioni i Ligjeve është mbledhur pikërisht për të hartuar raportin, i cili i dërgohet Kuvendit dhe më pas kryhen procedurat e votimit.

Një kontroll i figurës së kandidatëve, zakonisht kalon në Komision për shqyrtim, por duke qenë se kandidatura nuk ka, atëherë procesi vijon në mënyrë automatike për votim në Kuvend.

Shqetësime janë ngritur nga opozita gjatë seancës ndërkaq, mbi faktin se asnjë emër nuk u paraqit për votim.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, përmendi faktin se opozita kërkon gjithëpërfshirje në proces. Pra, ai ndoqi një retorikë ku kërkohet miratimi i të dy palëve për të zgjedhur Presidentin e ri.

Ndër të tjera, Alibeaj e akuzoi drejtpërdrejt mazhorancën, si shkaktare të krizës dhe bllokuese të procesit.

Një replikë gjithsesi ka ardhur nga deputeti Oerd Bylykbashi, i cili është pjesë e grupimit të fraksionit demokrat të Sali Berishës.

Sipas Bylykbashit, ky proces po pengohet nga të dy palët dhe një ndasi mes opozitës u shfaq.

Kreu i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim, Fatmir Mediu, nga ana tjetër, theksoi rëndësinë për të gjetur një zgjidhje të brendshme mes opozitës dhe për të mos e djegur mundësinë e zgjedhjes së një presidenti konsensual. Në të kundërt, vendi shkon në krizë edhe më të thellë.

Në fund të mbledhjes së shkurtër të Komisionit të Ligjeve, vetëm me votat e shumicës parlamentare, raporti kaloi për votim në Kuvend.

Ndërsa, opozita, vendosi të abstenojë miratimin e raportit në komision.

Thënë kjo, pritet që seanca plenare e 16 majit, të mbahet rregullisht në orën 17:00, siç ishte e parashikuar.