Olsian Çela mori sot detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Ishte Arta Marku e cila ia kaloi detyrën pasardhësit të saj në prani të mediave, në mëngjesin e kësaj të premteje. Kryeprokurori i ri, në fjalën e tij vlerësoi punën e Markut në këto dy vite, duke thënë se besonte që ajo kishte bërë më të mirën të mundshme.

“Unë e falënderoj Zonjën Marku për punën e bërë përgjatë këtyre dy viteve. Vlerësoj shumë atë që ajo ka bërë, për një arsye se e ka bërë në një fazë mjaft të vështirë, në një fazë të tranzicioni dhe vendi është përballur me probleme shumë të mëdha, me probleme delikate. Unë besoj se ajo ka bërë më të mirën e mundshme që mund të bëhej në këto kushte.”

Çela tha se prioritet primar i organit të akuzës duhet të jetë kontributi për të ardhmen e vendit drejt familjes së madhe europiane. Ai u shpreh besimplotë se prokuroria i ka të gjitha mundësitë për ta bërë një gjë të tillë, ndërsa foli për një konceptim të ri sesi duhet të funksionojë ky organ.

“Natyrisht që tani hyjmë në një fazë të re. Faza ku po ndërtohen institucionet e reja të drejtësisë. Ka një konceptim tërësor të shtetit të së drejtës, institucioneve kushtetuese, të mënyrës sesi ato operojnë, ku prokuroria ka pësuar edhe ndryshimet më rrënjësore dhe kjo patjetër kërkon një angazhim të ri, konceptim të ri, për mënyrën sesi ky organ duhet të funksionojë. Besoj se janë mundësitë, ekziston mbështetja dhe kemi kapacitetet për t’i dhënë vendit një të ardhme më të mirë, për të mundësuar që Shqipëria të bëhet pjesë e familjes së madhe europiane, ku patjetër, rezultatet e punës tonë, kanë një rëndësi të jashtëzakonshme. Ky duhet të jetë objektivi ynë primar. Ta shikojmë përditshmërinë e punë tonë si një kontribut të rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Në këto kushte unë mendoj se ka tashmë mundësi përmes të cilave, institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm mund të japë një kontribut mjaft të rëndësishëm për të ndryshuar, për t’i dhënë jetë ideve të reja dhe për të arritur atë çfarë të gjithë dëshirojnë dhe presin me padurim”.

Kryeprokurori u ndal edhe tek situata pas tërmetit të 26 Nëntorit. Ai tha se njerëzit sot kërkojnë drejtësi dhe shprehu bindjen se organi i akuzës do të mund t’ua japë këtë.

“Sot ne ndodhemi në një fazë pak të vështirë. Vendi po përballet me një krizë shumë të madhe për shkak të ngjarjeve të ndodhura në fund të muajit Nëntor. Besoj se përgjigja që prokurori duhet të japë në rastin konkret duhet të spikasë ndoshta edhe në raport me atë që po bëjnë institucionet e tjera, sepse njerëzit sot kërkojnë drejtësi. Njerëzit sot kërkojnë që më në fund në këtë vend gjërat të fillojnë të bëhen konkrete. Është një rast, që pavarësisht që vjen nga fatkeqësi shumë e madhe për vendin, ne duhet të tregojmë që ne jemi në lartësinë e asaj që pret vendi, që njerëzit presin nga ne. Prandaj kjo kërkon një angazhim maksimal. Jam i bindur që do t’i gjejmë të gjitha mekanizmat, format e duhura për të arritur atë që duhet dhe që pritet nga populli shqiptar në raport me prokurorinë”.

Ndërsa Arta Marku, teksa ia kaloi Çelës detyrën që mbajti për 2 vjet u shpreh: “Urime Prokurorit të ri të Përgjithshëm për detyrën dhe suksese. Kam besim që prokuroria do të ecë përpara në përmbushjen e misionit të saj kushtetues. Jam shumë e lumtur që detyrën ia pasoj një ish-shokut tim të klasës dhe jam e sigurt që do kaloni shumë mirë me të”.

VERITAS.COM.AL/