Partia Demokratike e ka bojkotuar edhe sot komisionin e Reformës në Drejtësi. Tashmë është e njohur kërkesa e panegociueshme e Opozitës për zbatimin e rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias në draftin për reformën.
Dje, kreu i Grupit të PD, Edi Paloka, deklaroi se “kërkesa për të futur në kalendarin e Kuvendit projektin për kapjen politike të gjyqësorit është një provokim i rëndë ndaj opozitës, parlamentarizmit dhe qytetarëve shqiptarë që nuk mund ta konceptojnë kurrë reformën e domosdoshme në drejtësi si një dorëzim peshqesh të drejtësisë tek Edi Rama.
Rruga e vetme për miratimin e Reformës në Drejtësi që nuk mbron, por lufton krimin dhe korrupsionin është zbatimi i plotë i rekomandimit 88 të Venecias. Çdo akt tjetër është shpallje lufte ndaj opozitës,” theksoi Paloka.
Pavarësisht këtij reagimi, mazhoranca ka hyrë në komision për të për të vijuar me shqyrtimin e projektligjit “Për Gjykatën Kushtetuese”, në kuadër të paketës ligjore që parashikon ndërhyrje në 7 ligje, me qëllimin për t’i bërë të zbatueshme ndryshimet në kushtetutë.
Sot në komision, drafti për Kushtetuesen pritet të paraqitet nga relatori i çështjes, ndërsa të enjten do të miratohet nen për nen dhe në tërësi, shkruan ATSH. Çështja kryesore e këtij projekti lidhet me zgjedhjen e anëtarëve të këtij institucioni, duke parashikuar një formulë të re.