Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Christian Panucci bëri publike listën e tij të parë të futbollistëve të grumbulluar për ndeshjet e radhës së kualifikueseve të Botërorit të vitit 2018, me Lihtenshtajnin dhe Maqedoninë.

Të rejat nuk mungojnë në listën e përpiluar nga trajneri italian, i cili ka vendosur t’u japë mundësinë e përfshirjes për herë të parë në Kombëtare 3 futbollistëve.

Bëhet fjalë për dy mbrojtës: Ivan Balliu, aktualisht pjesë e skuadrës së Metzit në Francë, si dhe futbollistin e Hajdukut të Splitit, Hysen Memolla; dhe për sulmuesin e Mariborit, Valon Ahmedi.

Balliu dhe Memolla do t’i bashkohen në prapavijë Ajetit, Gjimshitit, Mavrajt, Agollit, Hysajt dhe Veselit. Në mesfushë, Taulant Xhaka vazhdon të mos përfshihet në skuadrën përfaqësuese, ndërkohë që të njëjtin fat e pati edhe Ergys Kaçe.

Përsa i përket pjesës tjetër të skuadrës, nuk ka ndryshime dhe do të jenë të njëjtë lojtarë që kanë qenë të përzgjedhur më parë edhe nga paraardhësi i Panuccit, De Biasi.

Përfaqësuesja shqiptare do të nisë grumbullimin e saj ditën e hënë, kur do të zhvillojë edhe seancën e parë stërvitore. Ajo do të luajë ndeshjen me Lihtenshtajnin më 2 shtator, në orën 18:00, në “Elbasan Arena”, ndërsa ajo me Maqedoninë do të luhet mbrëmjen e 5 shtatorit, në Strumicë.

Kjo është lista e të grumbulluarve:

Portierë: Etrit Berisha, Thomas Strakosha dhe Alban Hoxha.

Mbrojtës: Ansi Agolli, Arlind Ajeti, Mërgim Mavraj, Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Frederik Veseli, Hysen Memolla dhe Ivan Balliu.

Mesfushorë: Migjen Basha, Andi Lila, Ledian Memushaj, Burim Kukeli, Eros Grezda, Jahmir Hyka, Odise Roshi, Liridon Latifi dhe Amir Abrashi.

Sulmues: Valon Ahmedi, Sokol Cikalleshi, Azdren Llullaku dhe Armando Sadiku.

Veritas.com.al/