Një ngjarje kriminale, që siç duket nga rrethanat e organizimit dyshohet për një vrasje, por që ende nuk është konfirmuar, është parandaluar nga policia e Lezhës ditën e sotme në Kune në Shëngjin. Në pranga ka rënë 28-vjeçari, Nikoll Sherniku, një emër i njohur për efektivët, sepse ishte i nën masën ‘arrest shtëpie’, pasi ishte i implikuar në vrasjen e efektivit te policise në dhjetor të vitit 2020 si dhe Flutura Berisha, 34 vjeçe. Ndërsa në makinën ‘Toyota’, ku u arrestuan këta shtetas, ishte edhe një 15-vjeçar.

Në kuadër të operacionit të koduar ‘Dyshimi’, policia e Lezhës ka vëzhguar në bazë të informacioneve automjetin e blinduar tip ‘Toyota’, i cili ishte parkuar në afërsi të një pallati në zonën e Kunes në Shëngjin dhe më pas kanë ndërhyrë për të neutralizuar shtetasit që ndodheshin në makine.

Sapo kanë parë policinë duke u afruar, Nikoll Sherniku dhe Flutura Berisha,  kanë dalë menjëherë nga automjeti dhe kanë tentuar të largohen me vrap. Gjatë tentativës për t’u larguar, 34-vjeçarjaFlutura Berisha,  ka tentuar  të fshehë edhe një armë zjarri. Arma e zjarrit kallashnikov, së bashku me krehër e me fishek në fole, është gjetur më pas nga policia.

Në automjet, së bashku me këta shtetas ka qenë edhe një i mitur 15 vjeç. Policia ka kryer kontroll brenda makinës me të cilën po lëvizte Flutura Berisha dhe Nikol Sherniku, ku ka gjetur një krehër automatiku me fishekë në të. Sakaq gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e dorës së 34-vjeçares, janë gjetur 2 radio marrëse – dhënëse, si ato të Policisë.

Në përfundim të operacionit policia vuri në pranga Nikoll Sherrnikun, 28 vjeç, banues në Kurbin, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve,  mbajtje e armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Flutura Berishën, 34 vjeçe, banuese në Kurbin akuzohet për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Sipas policisë, bazuar në hetimet e deritanishme lindin dyshime se lëvizja e këtyre shtetasve me automjetin e blinduar, në role të ndryshme, ishte për të realizuar një ngjarje kriminale. Për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk bëhen të ditura të dhëna të tjera në lidhje me rastin.