
Përmirësohet ndjeshëm situata me zjarret në vend. Kështu gjatë 24 orëve të fundit, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, janë raportuar 28 vatra zjarri, nga të cilat 3 mbeten aktive dhe 6 të tjera janë në fazën e monitorimit.
Aktualisht, operacionet për izolimin dhe shuarjen e zjarreve vijojnë në tre zona kryesore: në Tërnovë (Bulqizë), ku flakët kanë përfshirë pyje të dendura dhe po përparojnë drejt qytetit të vjetër; në Xeth (Fushë-Arrëz), ku janë angazhuar 60 forca operacionale dhe 80 ushtarë me mbështetje ajrore; si dhe në Velë (Mirditë), ku zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me pisha prej rreth 6.5 hektarësh.
Gjithashtu, 6 vatra mbahen nën monitorim në zona të ndryshme të vendit si Mali me Gropa (Bulqizë), Poliçan, Berat dhe Tiranë. Shumica e tyre janë vendosur nën kontroll falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve, Forcave të Armatosura dhe helikopterëve, si dhe ndihmës së reshjeve të shiut.
Aktualisht po punohet me intensitet në këto zona:
* Tërnovë (Bashkia Bulqizë) – Zjarri vazhdon të zhvillohet në kurorë me pyje të dendura nga qafa e malit në drejtim të qytetit të vjetër Bulqizë. Në operacion janë angazhuar 8 efektivë të MZSH të bashkisë Bulqizë, 4 forca bashkiake, 6 forca të pyjores, 3 forca policore, të mbështetur nga FA me 30 forca ushtarake dhe 1 helikopter. Po punohet për izolimin e zjarrit.
* Xeth (Bashkia Fushë-Arrëz) – Vijon puna për izolimin e zjarrit me angazhimin e 60 forcave operacionale, të ndihmuara nga 80 forca ushtarake dhe 1 helikopter. Intensiteti i flakëve është ulur, por puna për shuarjen vazhdon.
* Velë (Bashkia Mirditë) – Zjarr në një masiv me pisha, me rreth 6.5 ha të përshkruara nga flakët. Në terren janë 3 automjete zjarrfikëse me 6 efektivë të MZSH të bashkisë Mirditë, 12 forca bashkiake, 6 forca të pyjores, 2 forca policore dhe 6 forca ushtarake. Po punohet për shuarjen e plotë të zjarrit.
Komente