Në Komisionin Parlamentar te Sigurisë Kombetare nuk e besojnë teorinë se faji për grabitjen e Rinasit ishte i kompanive private. Deputetët e PD dhe LSI kërkuan përgjegjësit në policinë e shtetit, madje edhe një reagim nga presidenti.
Deputeti i LSI, Luan Rama tha se ngjarje të tilla sipas tij nuk kanë ndodhur as në vitin 1997.
“Siguria në Rinas është zero, ngjarje të tilla nuk kanë ndodhur as në vitin 1997. Nuk ka rëndësi shuma e vjedhur, por fakti që në Rinas hyri grupi i armatosur. Është shkelur siguria kombëtare dhe vija e kufirit. Duhet të kërkojmë llogari për masat e marra pas ngjarjeve në Stamboll”, tha ai, duke bërë thirrje që Presidenti i Republikës të reagojë.
Deputeti Asllan Dogjani tha se në raportim duhet të ishte Ministri i Brendshëm.
“Makina e cila u përdor nga grabitësit mund të ishte me eksploziv, duhet të merreshin masa për një mbledhje te jashtëzakonshme për sigurinë kombëtare”, tha ai.
Tashmë të mësuar me situatat e vështira që krijon performance e policisë së shtetit, deputetët e PS-së thanë se duhen pritur hetimet e prokurorisë.