Nga: Jetmir Shpuza/
Është e habitshme po ka ndodhur vërtet. Sot, kur po bëhesha gati për të dalë, se si po mendoja për profesor Fadilin. Si do të jetë vallë? Herën e fundit që takova Korabin, më tregoi se jetonte në Tiranë, me ta (që pas humbjes së doktoreshë Zylit). Po qortoja veten si nuk kërkova Nerejden a Korabin, t’i pyes nëse mund ta takoj dhe si, kur? Në ç ‘gjendje shëndetësore është këto ditë?
Nuk kanë kaluar 10 minuta dhe hapja e facebook ka qenë fatale: lexova statusin e Nerejdës ku njoftonte humbjen e babait të saj, profesorit tim, dramaturgut, shkrimtarit me artin e të cilit u rritën dhe komunikuan nja tre breza. U bllokova, nuk dita çfarë të shkruaj. Nuk më shkonte një ngushëllim i thjeshtë: ‘U prehtë në paqe’ e ku di unë… Nuk shkrova asgjë, por po mendoja në një refleksion të gjatë se emrin Fadil Kraja e kam dëgjuar në fëmijërinë e hershme. Duke qenë se në Shkodër kishte disa Fadil Kraja, kur përmendej ndonjëri, dëgjoja më pas shprehjen: jo ai shkrimtari, jo! Ose Fadil Kraja shkrimtari! Duke respektuar shume te tjerët se të gjithë vinin nga familje të respektuara, njërin prej të cilëve e pata nëndrejtor gjimnazi dhe një tjetër ishte shok i babës e kishim miqësi familjare, Fadil Kraja ai shkrimtari eklipsonte këdo. E dëgjova emrin e tij kur prindërit bëheshin gati të shkonin në teatrin Migjeni( një tempull për shkodranët e vërtetë) dhe unë u kacavaresha që të më merrnin edhe mua: Në Teatër nuk lejoheshin fëmijë nën 10 vjeç! Po unë, duke qenë një fëmijë me trup të gjatë arrita të futesha edhe pa i mbushur 9.
– Sa vjeç është?-pyeste Maliqi i tmerrshëm, roja i Teatrit.
– Te dhjetë vjetët, përgjigjej im atë me gjysmë zëri (nuk dinte të gënjente kurrë dhe po ma rriste pak moshën, për të parë dramat e Fadil Krajës).
U rritëm me atë tip drame klasike, mbaj mend premierat kur sheshi mbushej plot me njerëz: Gjaku i Arbrit, Baca i Gjetajve e shumë drama e komedi nga dora e profesor Fadilit, kur dyert e teatrit Migjeni gati thyheshin. Binte gongu, fikej drita, nje heshtje e rrallë, një heshtje për t’u regjistruar si heshtje e veçantë shkodrane! Aty pashe live aktorët korifenj- Tinka Kurti, Ndrek Luca, aty pashë artistët Ymer Bala, Ramiz Rama, Bruno Shllaku, Paskualina Gruda, Bardh Smaja, Agron Dizdari, Merita Smaja, Shpresa Garuci, Enver Hyseni, etj etj.
Po njohja direkte me profesor Fadilin do vinte kur isha diku ne vit te trete gjimnaz dhe me përzgjodhën si delegat në një konferencë talentesh të reja në Durrës. Po fillimi i miqësisë së madhe me profesor Fadilin është ajo si student i tij. Ne gjysmën e dytë të vitit të parë të fakultetit ai na jepte letërsinë e huaj, nga letërsia antike e deri te Molieri, për dy sezone me radhë. Ato orë kanë qenë spektakël i vërtetë! Më vjen keq që më kanë humbur fletoret e atyre leksioneve, ku dëgjonim gjëra, merrnim info që nuk mund t’i gjenim po të shfletonim gjithë librat e bibliotekës së Shkodrës! Profesori fliste me pasion, tregonte histori të padëgjuara, bota antike vinte e gjallë si të ishte pas dritares, dialogë artistësh e perandorësh përcilleshin me një interpretim tërë magjepsje: na dukej se jetonim në një botë tjetër! Nuk lëvizte as miza, vëmendja ishte maksimale edhe nga më i painteresuari!
Ndoshta prandaj profesor Fadili mbeti i veçantë dhe në vitet që pasuan u bë edhe miku im, pavarësisht moshës! Bisedat për letërsinë, historinë e Shkodrës, diskutimi për romanet që botonte, për të cilët tregohej i kujdesshëm të m’i dhuronte me dedikim… Profesori ishte një mik i veçantë: takoheshim shpesh, edhe kur erdha të jetoj në Tiranë. Për shkak të afërsisë së shtëpive në Shkodër, apo kur dilja përballë Radio Shkodrës te Tullat e Kuqe… Vitet e fundit nuk shikonte mirë dhe kur i flisja dhe merrja të afrohesha, doktoreshë Zyli i thoshte: ‘Jetmir Shpuza!’. Ai fliste, kujtonte gjithçka, gjente detaje që edhe unë nganjëherë i kisha harruar!
Këto mendime u rrokullisën tek unë tek po lexoja njoftimin e Nerejdës dhe pastaj dhjetëra e dhjetëra statuse për profesor Fadilin! Të prehesh në paqe profesor! Panteoni shkodran ka vendin e artë për ty! Ngushëllime Nerejdës, Korabit dhe gjithë familjes! Historia e Fadil Krajës do jetë e gjallë mes gjithë neve që e jetuam! Është detyra jonë t’ua përcjellim edhe atyre që vijnë më pas dhe nuk e jetuan kohën e profesor Fadilit, kohën kur shqyheshin dyert e teatrit Migjeni!