Astronautët e misionit Artemis II të NASA-s janë rikthyer shëndoshë e mirë në Tokë, duke përfunduar me sukses fluturimin e parë me ekuipazh rreth Hënës pas më shumë se 50 vitesh.
Anija kozmike Orion u ul në Oqeanin Paqësor pranë brigjeve të Kalifornisë, pas një rihyrjeje të shpejtë dhe të vështirë në atmosferën e Tokës. Operacioni i rikthimit u realizua me sukses, ndërsa ekipet e shpëtimit ndërhynë menjëherë për të siguruar kapsulën dhe ekuipazhin, shkruan A2 CNN.
Në bord ndodheshin astronautët Reid Wiseman, Victor Glover dhe Christina Koch nga NASA, si dhe astronauti kanadez Jeremy Hansen. Ata përfunduan një mision 10-ditor, gjatë të cilit udhëtuan rreth anës së largët të Hënës, duke testuar teknologjitë që do të përdoren në misionet e ardhshme.
Rihyrja në atmosferë ishte një nga momentet më kritike të misionit. Kapsula përballoi temperatura ekstreme deri në 2,760 gradë Celsius dhe një ndërprerje të përkohshme të komunikimit, përpara se parashutat të hapeshin dhe të mundësonin uljen e sigurt në oqean.
Artemis II shënoi gjithashtu disa momente historike, pasi Victor Glover u bë personi i parë me ngjyrë që udhëtoi rreth Hënës, Christina Koch gruaja e parë dhe Jeremy Hansen jo-amerikani i parë në një mision të tillë.
Komente