Nga: Laert Skiro/

Si ‘të binte ky mort…’, kësaj here u panë në sy individi dhe shteti. Shteti ishte paralajmëruar se do të kishte reshje të tmerrshme; por edhe individi u njoftua njësoj. Mirëpo individi nuk lëvizi nga vendi, ashtu si edhe shteti. Individi nuk ka më besim te shteti, edhe pse e thërret aq shumë shpesh herë. Tanimë duket si ironike thirrja e banorëve se “duam shtetin këtu!”. Në fakt nuk e duan, sepse e dinë se vjen kot.

Çfarë po zbulohet me këtë rast?

Po zbulohet e njëjta metodë e vjetër dhe populiste që ministrat e qeveris tu ndodhen pranë banorëve sa për t’u dukur në televizor. Me një urdhër të krerëve të partive, të gjithë deputetët, por edhe ministrat, kanë shkuar në terren. Pse, çfarë bëjnë atje? Si krahë pune? Po këta nuk janë as krahë pune… Tjetër gjë nuk kanë çfarë bëjnë; dhe as bëjnë dot. Është shumë vonë për në ‘bazë’ përderisa shteti nuk mori masat kundër një përmbytjeje në një shtet si shteti ynë me një natyrë shumë komode, pa përmbytje dhe pa thatësira të mëdha.

Po zbulohet se edhe kur qeveria thotë: “Ka ujë, largohuni!”, njerëzit nuk besojnë. Është ironike, por vetëm pse thotë qeveria, njerëzit mendojnë se reshjet nuk janë të vërteta dhe se Vjosa nuk del nga shtrati. Që dje në mbrëmje dhe sot gjatë ditës, ministre e Mbrojtjes ka bërë thirrje para banorëve të bregut të Vjosës (veçanërisht) që të lënë shtëpitë dhe t’i dorëzohen ushtrisë. Banorët nuk duket se kanë ndërmend ta bëjnë këtë gjë. Ata e kanë marrë ‘thirrjen’ sikur nuk u përket atyre, por dikujt që nuk dihet. Përderisa e thotë qeveria në një moment si ky, ata mendojnë se është thjesht për ‘fushatë’.

Po zbulohet se njerëzit nuk besojnë më se shteti i ndihmon pas dëmeve të mëdha të shkaktuara prej natyrës. Që në mëngjes, disa lexues të medias sociale iu drejtuan kryeministrit duke i thënë se ‘kemi dhënë taksa e nuk po marrim gjë”, se ‘më në fund e arrite që të na sjellësh ën Tiranë me varka’.Në Derven dhe në Murqinë të Fushë Krujës akne kaq kohë që po thërrasin “Ju lutemi na ndihmoni!”, por askush nuk po duket. Në një familje të Murqinës, kur po largonin ujin, zonjën e shtëpisë e pickoi gjarpri. Rruga me Veriun është ndërprerë sepse është thyer ura në afërsi të Fushë Krujës, por ende nuk ka shkuar askush për urë provizore.

Po zbulohet se në 3 milionë njerëz, vetëm njëri mund të ndihmohet nga qeveria. Ajo që ndodhi sot me ministrin e Brendshëm, Xhafa, është e papranueshme. Një i ri, me sa duket kryefamiljar, u paraqit para ministrit me lotë në sy: “Çdo vit blej mobilje- tha- vetëm nga përmbytjet. Prapë do të blej?! Më thuaj o burrë”. Ministri e afroi dhe i sha numrin e telefonit duke i thënë “më thirr për çdo gjë”. Ky njeri edhe mund të ndihmohet nga qeveria, ose edhe jo. Por akti është si aktet e dikurshëm ‘alias kinezërira”, që dikush seleksionohej për t’u ndihmuar nga Partia, disa miliona vuanin.

Përmbytjete  pa shoqe nxorën në dritë mungesën e besimit individ- shtet.

Veritas.com.al/