Frrok Çupi

Këta të dy duan ta sundojnë prapë popullin; por cilin popull?! Popullin as e njohin dhe as i njeh. Ai ishte një film i vjetër…

Megjithatë, filmi vazhdon të luhet në ekran: As aktorët nuk i kanë parë kurrë spektatorët; as salla e kinemasë nuk e njeh më këtë film. Ka ndërruar shekulli.

Kjo është klima ku dy ‘legjenda’ politike, që i quajnë edhe ‘dinozaurë’, vazhdojnë të luajnë pa u trazuar për shikuesit; ndërkohë ‘kinemaja’ nuk e di ça janë këta. Po të mos kishte ndërruar shekulli, do të kishte ndodhur e ndodhura: O Berisha dhe Meta do të ishin nxjerrë me revolta nga ekrani, ose të dy ‘dinozaurët’ do të kishin ngrënë gjysmën e popullsisë dhe të kishin djegur qytetet. Në 23 korrik 1997, ora 2.30 PM, kur sapo Berisha la përjetësisht zyrën e presidentit të Republikës, aty u gjet gjithë ambienti i ndotur nga ushtarët e tij gangsterë që e ruanin natë e ditë. Në një skaletë regjisoriale kjo mund të merrej edhe si ora kur u nda shekulli: Koha e ‘qepës’ me ata, dhe koha e kohës me qytetarët.

Tani asgjë nuk mund të ndodhë ashtu si e ‘luajnë’ ata. E di pse? Jo pse përballë ndodhen disa ‘dinozaurë’ të tjerë që u tregojnë forcën Berishës dhe Metës, por sepse përballë nuk ka ‘forcë’. Përballë tyre ka një ‘polis’ tjetër, ku këta nuk e pushtojnë dot, nuk hyjnë dot, nuk mund ta njohin ç’arkitekturë ka. Që nga viti 2017, të dy së bashku ndezën urët dhe fitilat e bombave ‘molotov’ për t’i vënë dermën Tiranës, sallës së Parlamentit, skulpturave të bulevardit, selisë së qeverisë…, por nuk u ndezi. Ata janë në një kohë tjetër, këta qytetarët këtej janë në një kohë të përparuar; në dy valë- asnjëra palë nuk e takon tjetrën. Këta të gjallët kanë qytetin të ndërtuar me shije, kanë dyqanet, kanë studiot e artit, sallonet e modës, kanë baret, kanë parqet dhe shollat e reja…, ata asfiksohen në këtë klimë. Në vitin 1997 e kishin të lehtë ta luanin filmin: Njerëzit vinin  nga dëshpërimi dhe kollaj e ndiqnin rrugën e dëshpërimit; zjarri mbi qytet nuk i bënte qeder kurrkujt. Aq më tepër që zjarrvënësit vinin nga zona të thella e të harruara, nga ku vinin edhe Berisha e Meta, dhe mund ta digjnin qytetin aq gëzueshëm sa dordolecin e arës së misrit.

Kjo është e gjithë klima e filmit të vjetër dhe e kinemasë së re.

Hera e fundit kur Berisha- Meta bënë ‘Çak-un’ e filmit të ri, ishte 8 janari i sulmit mbi selinë e Partisë Demokratike. Mjetet e ushtrisë së Berishës dhe Metës, ishin të ‘kohës së qepës’: ‘Balli i dashit’, shulat e sulmit, sfurqet dhe hanxharët… Edhe ushtarët- të po asaj kohe: Sapo morën pagesën, të ardhurit për luftë, ikën; lan sulmin dhe hynë në Lanë ku pinë ujë dhe lanë fytyrën me at ‘ujë flori’ që vinte nga gjithë banjat e Tiranës. Ata, të verbër, nuk dinin ku ishin e nga vinin; e ç’gjynah për ta!. As këta të tanishmit nuk e kuptojnë pse-në e tyre. Kronikanët që shkruajnë komentet e përditshme nuk e dinë ku ‘i ka fshehur Meta kufomat’ sepse nuk dinë Malin me Gropa’, këta as ‘Kune- Vainin ku ky tjetri fshehu Remzi Hoxhën’ nuk e dinë..

Shekulli u ka ndryshuar planet filmike dhe terrenin.

Të dy kanë marrë në dorë ‘b… e dashit’ për të goditur Amerikën. Njëri thotë se ‘Amerika po më vret’ në Malin me Gropa dhe se do ta kapë për veshi; ndërsa tjetri thotë se ‘Amerikën do ta mposhtë në Paris’. “Në Paris u mblodh UNO-ja/ fol Enver të lumtë goja”- kjo është kolonë zanore e asaj periudhe në filmin bardhezi. Këta tokësorët qytetarë këtu në Tiranë as e shikojnë dot atë ekran.

Të dy të ngjashëm.

Të dy kanë ndërtuar vila pranë njëri tjetrit; njëri jeton në ‘vilën e fëmijëve’ dhe tjetri në ‘vilën e maceve’. Këta mendojnë se ‘mijtë spektatorë’ mashtrohen si gjahu i dobët atëherë. Amerika, që është aleatja e qytetarëve dhe e qytetërimit, e ka treguar me gisht dhe e ka denoncuar me forcë korrupsionin e tyre të madh. Së shpejti Ilir Meta, që mbante shtyllën e Berishës deri tani, do të lërë selinë dhe vulën e presidentit, e atëherë do të jetë i vetëm në fushën e qytetarëve ku ka pështyrë, ka manipuluar, ka grumbulluar pasuri si mes ‘qorrash’. Së shpejti mund të jetë dhe të jenë para Drejtësisë. Ashtu si të dy së bashku do të shfaqen në filmin e ri: të kërrusur para depos ku dorëzohen sendet e vjedhura, dhe ku do të bëjnë rolin e të munduarit: ‘Ja, po ua dorëzojmë floririn.., por haram!’.

Konfiskimi i pasurisë së tyre të paligjshme do të jetë akti ku paqësohen ‘të mallkuarit’ e popullit të ri… Njësoj si ajo ditë e 23 korrikut ’97 kur nga Presidenca nisën të lahen me zorrë uji shtresat e holleve, pllakat e rrugicave dhe bari i oborreve të presidencës; gjithçka ishte ndotur nga ushtarët pa toilete.

Këta të dy, sikur asgjë të keqe të mos kishin bërë, këtyre u ka ndryshuar brezi. Këta vijnë si lugetër nëpër varreza dhe lexojnë emra. Jo vetëm pse u ka kaluar ora, por sepse anija e tyre ka ecur së prapthi nëpër oqean. Ata e dinin se që nga anija po ecte toka; por në fakt kanë ikur pa kthim.

E megjithatë tentojnë të kapen pas direkëve të të gjallëve në qytet dhe të sundojnë përsëri. Po cilët do të sundojnë? Një popull që as e njohin dhe as i njeh?  Ky ishte filmi i vjetër…