Policia e Shtetit ka lëshuar një njoftim se “ka parandaluar një vrasje” sot në mëngjes rreth orës 07.30, në Tiranë.
Vrasja, vërtet nuk ka ndodhur; ajo ka mbetur në tentativë. Por agresori, Leonard Kaçaniku, (sipas policisë) qëlloi me armë kundër objektivit të parashikuar, që ishin tre vëllezër: K.B, Sh.B dhe E.B, të tre të moshës nga 34 deri 38 vjeç.
Ngjarja ndodhi pranë Pub Venue, në pjesën veriore të qytetit të Tiranës, rruga “Sadik Petrela”.
Kaçaniku, tashmë i arrestuar nga Policia, qëlloi me armë në drejtim të tre vëllezërve, por fatmirësisht nuk është shënuar asnjë dëm në jetën e të targetuarve.
Nga të shtënat me armë nuk ka pasur dëmtime as mes njerëzve të tjerë, që ndodheshin në rrugë dhe ambiente rreth.
Pas kësaj Policia ka ndërhyrë dhe ka paralizuar personin e armatosur, Kaçaniku. Atij iu gjet një pistoletë “Beret” me të cilën ka qëlluar dy herë.
Motivet e ngjarjes akoma nuk dihen. Autori i vrasjes së mbetur në tentativë tani ndodhet në qelitë e komisariatit Nr. 4 të Policisë së Tiranës.