6 policët e shoqërisë private “Rogat Security”, që u arrestuan një ditë më parë pas pasi 3.8 milionë eurot që ata shoqëronin u grabitën, kanë dhënë dëshmitë e tyre para prokurorit Olsi Dado.
“Na kapën në befasi. Ishte në pak sekonda çdo veprim, ata ishin veshur si policë, kishin dhe fenelina dhe na u drejtuan me fjalët “duart lart Policia e Shtetit”. Prandaj nuk reaguam me armë”, janë shprehur policët e “Rogat Security”.
Në vijim të rrëfimit të tyre ata kanë treguar edhe si ndodhi ngjarja. Makina blind ishte e para në autokolonë, ndërsa pas kishte eskortën e policisë private. Pranë Kasharit një automjet tip fuoristradë i ka ndërprerë rrugën duke e detyruar blindin të bëjë një frenim të fortë. Në këtë moment ata kanë dalë nga makina dhe menjëherë kanë rënë pre e sulmit nga persona të veshur me uniformë policie e të maskuar të cilët i kanë goditur ata me mjete të forta dhe kanë mundur që njërit prej rojeve t’i marrin dhe armën automatik kallashnikov. Pikërisht me këtë armë ata kanë qëlluar në ajër dhe detyruan rojet të shtriheshin në tokë.
Më tej ata kanë kanë hapur derën në të djathtë të blindit duke marrë 4 thasët me para dhe janë larguar në pak minuta nëpërmjet rrugës dytësore. Targa e automjetit që u përdor për grabitësit ishte TR 8801 E. Por pas verifikimeve kjo targë rezultoi e e çregjistruar dhe pa pronar.
Pritet që gjashtë rojet, Agron Ademi, Alban Sharra, Niko Prifti, Agron Lloha, Artan Mane dhe Eduart Metollari të dalin nesër para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë.