Përmbyllja e numërimit për procesin e ‘Primareve’ ka sjellë edhe pakënaqësi tek kandidatë të cilët nuk kanë arritur të marrin numrin e votave që prisnin nga anëtarët dhe simpatizantët e Rithemelimit.

Akuzat kanë qenë të forta për kandidatin që ka marrë më shumë vota në Tiranë, Belind Këlliçi. Kandidatja Adriana Kalaja ka thënë se “një numër shumë i vogël i njerëzve përqafuan programin tim. Ishin më komodë të përqafonin programin e dikujt që është i implikuar në aferën e inceneratorëve dhe që bashkëshortja e tij ka përfituar fonde nga Soros”.

Ashtu si Adriana Kalaja, edhe kandidati tjetër i primareve ne PD, ish-dhjetoristi Fatmir Mekoçi, ka hedhur akuza të rënda ndaj Belind Këlliçit. Merkoçi thote se fitues doli mosmirënjohja, servilizmi, interesaxhiu dhe propaganda e Edvinit dhe e sorosjanëve brenda PD-së. Duke e cilësuar një votim të komanduar, Merkoçi shpreh bindjen se  ajo gjithmonë ka prodhuar vetëm zhgënjim e humbje.

Armando Magllara një prej kandidatëve të Rithemelimit në Primaret e Sarandës dha dorëheqjen përfundimisht nga partia Demokrataike, me argumentin se procesi kishte qenë një farsë dhe se anëtarët e kryesisë së Rithemelimit në Sarandë ishin persona me precedent penalë.

“Në PD e gjithë Shqiperisë ka akoma pak njerëz që besojnë se ajo është Parti Demokratike.  Nga sot largohem nga Partia Demokratike!  Është koha të perkushtohem më shumë bizneseve. Falenderoj shumë, shumë ata qe patën besim tek unë. Neveris ata që punojnë me barbarët për shkatërrimin e këtij qyteti”- shkruan Magllara në reagimin e tij.

Po ashtu, kandidati për primaret në Tiranë, Fatmir Merkoçi ka dalë me akuza ndaj Belin Këlliçit i cili ishte kandidati me më së shumti vota. Në reagimin e bërë nga ai shkruhet se në zgjedhje kishte fituar servilizmi dhe mosmirënjohja.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, i cili nuk arriti të fitonte në garën e mbajtur dje në “Primaret” për të kandiduar më pas për kryetar bashkie në Kamzë, ka ngritur akuza për vjedhje votash. Dogjani tha se “Primaret” në themel kanë qenë procesi më i mirë i zhvilluar në Partinë Demokratike, por sipas tij janë hajdutët brenda sistemit ata që e prishën procesin në Kamëz.