Rizgjedhja e Sali Berishës në krye të PD i ka dhënë pasojat e para. Duke mos pasur një vendim nga Gjykata e Apelit, Partia Popullore Europiane ka vendosur që të mos ftojë asnjë delegat nga Partia Demokratike në Kongresin që zhvillohet në Roterdam ku votohet Presidenti i PPE, duke i hequr partisë më të madhe opozitare të drejtën e votës në Kongres.

Në dokumentin që Shqiptarja.com disponon, PD nuk ka asnjë delegat, i vetmi vend nga lista e partive që janë pjesë e PPE. Një gjë e tillë ishte paralajmëruar edhe më herët nga deputeti kristiandemokrat në Parlamentin Gjerman, Gunther Krichbaum, zëdhënës i grupit parlamentar CDU/CSU për çështje të Bashkimit Evropian, i cili tha se nëse kjo forcë politike kthehet te e djeshmja duke nënkuptuar rikthimin e Berishës do të angazhohet për ta pezulluar PD-në nga PPE-ja.

“Më vjen shumë keq për zhvillimet në PD dhe nuk jam i vetmi. Sigurisht që është çështje e vetë partisë se kë dëshiron të zgjedhë për lider. Neve nuk na takon të ndërhyjmë. Por kjo do të thotë edhe për ne dhe për mua personalisht, se unë do të vazhdoj të punoj dhe ta mbështes PD-në vetëm nëse jepet një sinjal largpamës në përzgjedhjen e kryetarit. Nëse nuk do të jetë kështu, por do të ketë kthim në të djeshmen, në mos të pardjeshmen, atëherë kjo nuk mund të gjejë mbështetjen time personale. Në një rast të tillë, unë do të angazhohesha që të pezulloheshin procedurat për anëtarësim në nivel të Partisë Popullore Evropiane. Sepse ne, si parti Parti Popullore Evropiane duhet të ecim përpara”, është shprehur më herët Krichbaum.

Deputeti demokrat, Gazment Bardhi thotë se kjo gjë ishte e pritshme , teksa nga ana tjetër, Komisioni i Rithemelimit thotë se PPE ka zgjedhur që të jetë neutrale deri sa të ketë një vendim zyrtar për lidershipin, pra deri kur gjykata të thotë fjalën e fundit.