(FOTO: Presidenti Rodrigo Duterte i Filipineve, me ushtarakë)/
Pasi kishte deklaruar më parë, botërisht, se kishte vrarë me dorën e tij disa të dyshuar si përdorues droge, vjen edhe rrëfimi tjetër po kaq makabër: “Po- tha- e kam hedhur të dyshuarin nga helikopteri”. Kështu deklaroi vetë presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte për televizionin “CBN Neës”.
Bëmat e presidentit filipinas, Rodrigo Duterte, në kohën kur ka qenë kryebashkiak i Davaos, duket se nuk kanë të sosur.
Sipas dëshmisë së tij, ai i ka hedhur nga avioni të dyshuarit si përdorues droge, me justifikimin se duhej t’i tregonte policisë sesi ta bënin më së miri detyrën e tyre. Duterte është shprehur se ka kërcënuar zyrtarët e korruptuar se do t’i hedhë nga helikopteri në fluturim, një gjë që nuk përbën risi për të, pasi në të kaluarën e ka bërë diçka të tillë.
“Nëse jeni të korruptuar, unë personalisht do të marr një helikopter dhe do t’iu hedh nga lartësia”, është shprehur presidenti filipinas, i cili ka ndërmarrë një lufte ekstreme ndaj korrupsionit dhe përdoruesve apo trafikantëve të drogës në vendin e tij që prej marrjes së postit të kreut të shtetit. Ky është edhe pretendimi më i fundit i presidentit të Filipineve, i cili pretendon se ka kryer vrasje pa vendim gjyqësor. Zëdhënësi i tij, gjithsesi, i ka mohuar këto deklarata duke i quajtur ato si “legjenda urbane”.
Më herët gjatë këtij muaji, një tjetër zëdhënës, Martin Andanar kishte thënë se bosi i tij që flet hapur për gjithçka duhej të merrej “seriozisht, por jo fjalë për fjalë”, kur fliste për ekzekutimin e 3 personave në kohën që shërbente si kryebashkiak i Davaos.
Komentet e fundit, Duterte i ka bërë gjatë një fjalimi përpara viktimave të tajfunit në zonën qendrore të Filipineve, që preku vendin gjatë së martës. Ndërkohë pamjet video të fjalimit dhe komenteve të tij janë publikuar edhe nga zyra e tij. Ai kërcënon ndëshkimin me hedhje nga helikopteri për cilindo që tenton të vjedhë ndihmat financiare që ka premtuar.
“E kam bërë edhe më parë, pse nuk duhet ta bëj sërish diçka të tillë”, thotë ai, duke marrë duartrokitjet dhe brohoritjet e të pranishmëve. Sipas pretendimeve të tij, viktima apo viktimat e tij në rastin e mëparshëm, ishin thjesht pengmarrës që kishin vrarë pengun e tyre. Megjithatë, asgjë nuk është e qartë se ku dhe kur ka ndodhur ky incident. Të enjten, presidenti u duk se po përpiqej të distanconte veten nga fjalimet e mëparshme.
“Helikopter për të hedhur një person? Edhe nëse është e vërtetë, nuk do ta pranoj këtë”, tha ai. Gjithsesi, presidenti filipinas ka shprehur pretendime kontradiktore edhe në të kaluarën, teksa një herë flet për diçka dhe më pas e mohon atë. Më 16 dhjetor, ai ka thënë për “BBC”-në se kishte qëlluar për vdekje 3 kriminelë të dyshuar. “Vrava 3 prej tyre, nuk e di sesa plumba prej armës time përfunduan në trupin e tyre. Ndodhi dhe nuk mund të gënjej për këtë gjë”. Një deklaratë të tillë, ai e ka dhënë edhe para udhëheqësve të biznesit në Manila pak ditë më parë, kur tha se dilte shpesh xhiro nëpër Davao me motoçikletë “në kërkim të ndonjë sherri në rrugë, në mënyrë që të mund të hiqte qafe dikë”. Duterte ka qenë kryebashkiak i qytetit jugor të Davaos për dy dekada, duke bërë që të shënohej një rënie e theksuar e krimeve, por është përballur gjithashtu edhe me akuzat se po sponsorizon “skuadrat e vdekjes”.
Si president, ai është angazhuar se do të çrrënjosë problemet e drogës dhe korrupsionit në Filipine, edhe nëse për këtë gjë do t’i duhet të përballet me një kosto prej miliona jetësh. Prej majit e deri më sot, afro 6.000 vetë janë vrarë nga policia, vigjilentë të tjerë dhe mercenarë në Filipine.
/Veritas.com.al/