Presidenti i Republikës Bujar Nishani, sot paradite, e hënë, dekretoi emërimin e 4 ministrave të rinj të kabinetit qeveritar, pas propozimit të Kryeministrit Edi Rama, për ndryshime në qeveri.
Me dekrete të veçanta, kreu i Shtetit dekretoi shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe emërimin në këtë post të Fatmir Xhafaj.Po ashtu, Presidenti dekretoi shkarkimin e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe emërimin në këtë post të Ogerta Manastirliut.
Një tjetër ndryshim i propozuar nga Kryeministri Rama dhe i dekretuar sot nga Kreu i Shtetit është edhe shkarkimi i ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Blendi Çuçi dhe emërimi në këtë post i Eduard Shalsit.
Presidenti dekretoi edhe shkarkimin e ministrit të Mirëqenies Sociale, dhe Rinisë, Blendi Klosi dhe emërimin në këtë detyrë të Olta Xhaçkës.
Një javë më parë, Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, konfirmoi largimet e 4 ministrave dhe propozoi emrat e rinj, duke argumentuar se këto ndryshime u bënë nga fushata e pritshme elektorale e zgjedhjeve të 18 qershorit. Përveç Xhafaj që ka mbajtur dhe më parë poste ministrore, në 2002-n ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit dhe në 2003-2005, ministër i Drejtësisë, tre emrat e tjerë e kanë për herë të parë detyrën e ministrit.
/Veritas.com.al/
/Veritas.com.al/