Ditën e sotme është prezantuar drafti i kodit të ri penal, i cili nuk është përfundimtar, pasi pritet të hidhet për diskutim publik.

I pranishëm gjatë prezantimit të këtij drafti ishte edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili i bëri ftesë edhe opozitës që të kontribuojë me ekspertizë dhe pjesëmarrje aktive në tryezat e diskutimit, shkruan A2 CNN.

Manja shtoi se kodi i ri penal duhet të jetë në përputhje me standardet e unionit europian, teksa shtoi se në BE nuk hyn vetëm një forcë politike apo qeveria, por Shqipëria, prandaj sipas tij, duhet kontributi i të gjithëve.

“Ky draft nuk është një draft përfundimtar. Ky draft do të marrë të gjithë kohën e nevojshme të konsultimit publik. Ministria do të jetë vetëm palë e interesuar institucionale, si të gjithë të tjerët. Në funksion të një procesi të hapur, dëshiroj të ftoj të gjithë aktorët e drejtësisë dhe opinionit juridik të bëhen pjesë aktive e fazës së diskutimit publik të kodit të ri penal.

Ky është një moment kyç për të ndërtuar sëbashku një akt themelor të shtetit të së drejtës.

Ftoj të gjithë ekspertët e ligjit, shkollën e Magjistraturës, studentët shqiptarë që studiojnë brenda vendit apo në universitetet e huaja, mediat apo organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe një ftesë të veçantë dua t’ja dërgoj opozitës parlamentare, të kontribuajë me ekspertizë dhe pjesëmarrje aktive në tryezat e diskutimit. Në BE shkon Shqipëria dhe jo vetëm një qeveri apo një forcë politike”, tha mes të tjerash Manja, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *