Kryeministri Rama ditën e martë bëri atë që kishte premtuar. Ai njoftoi se kishte marrë një avokat për të paditur gazetarin gjerman Peter Tiede të BILD, i cili u bë i famshëm pasi publikoi disa audio-përgjime të dosjes 339 dhe 184.  “Sapo i kam dhënë prokurën avokatit gjerman Matthias Prinz, për nisjen e procesit gjyqësor mbi publikimet e Bild! Gjykatat gjermane le ta vendosin kush ka të drejtë e kush ka faj në këtë mes. ” tha Rama në Twitter.

Po kush është avokati gjerman që Rama ka zgjedhur për të ruajtur dinjitetin e tij dhe të shtetit shqiptar?

Duket se zgjedhja nuk është aspak rastësore. Avokati gjerman Matthias Prinz është një “përbindësh” i vërtetë për gjykatat dhe rastet e fituara prej tij janë të panumërta. Matthias Prinz është një avokat që punon në fushën e mbrojtjes së reputacionit dhe privatësisë, si dhe në ligjin e shpifjes dhe mediave. Një avokat mjaft i njohur në botë për mbrojtjen e të drejtave dhe privatësisë së njerëzve. Klientët e tij vijnë nga familjet mbretërore ku përfshihen Familjen Mbretërore Suedeze, Princesha Caroline e Hanoverit, Sulltani i Bruneit, Princi Albert i Monakos, për rastet e tyre të cenimit të privatësisë dhe shpifjes, deri tek personat e njohur në botë si Helmut Newton, David Beckham, Don Johnson dhe Karl Lagerfeld. Ai ka përfaqësuar edhe korporata të mëdha, duke përfshirë SAP, Audi, Volkswagen, T-Mobile.

Por ka një arsye përse Matthias Prinz (Princ) ka një klientelë kaq të rëndësishme. Ai i ka fituar të gjitha gjyqet dhe paditë.

Zgjedhja e Ramës ka qenë e mirë menduar. Ndoshta jo aq sa për të fituar një gjyq, por për të bërë bujë e zhurmë ende pa e filluar atë. Vetë Peter Tiede reagoi duke i dërguar një pyetje retorike kryeministrit shqiptar: “Do më padisësh për audio përgjimet e vërteta?”.

Përgjigjen do t’ia japë këtej e tutje Princi “përbindësh” i gjykatave gjermane dhe jo vetëm. Dhe në procese gjyqësore, audio përgjimet nuk janë gjithmonë prova. Për këtë Peter Tiede mund të pyesë edhe Ilir Metën.

VERITAS.COM.AL/