Po mbahet sot samiti i Berlinit në Kancelarinë Federale në Gjermani, një takim në kuadër të procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor. I pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama, i cili u prit nga kancelari gjerman Olaf Scholz. Në fillim të samitit, kancelari gjerman Olaf Scholz, u bëri thirrje gjashtë kryeministrave të Ballkanit Perëndimor që të bashkëpunojnë për të ruajtur lirinë dhe sigurinë e Evropës. Kancelari gjerman Olaf Scholz, tha se stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit nuk mund të shkëputet nga stabiliteti dhe prosperiteti i Evropës në tërësi: “Evropa mund të kompletohet vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj.”

Gjithashtu Scholz siguroi mbështetjen e Gjermanisë në planin afatshkurtër dhe afatgjatë, por kërkoi nga vendet e Ballkanit Perëndimor që të mënjanojnë konfliktet rajonale.

“Lufta brutale e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës na detyron të qëndrojmë së bashku për të ruajtur lirinë dhe sigurinë e Evropës. Është koha e duhur për të kapërcyer konfliktet rajonale që kanë vazhduar për shumë gjatë. Konflikte që ju ndajnë dhe i mbajnë vendet tuaja prapa në rrugën tuaj drejt Evropës”, u tha kancelari gjerman gjashtë kryeministrave të pranishëm.

Në prag të samitit, qarqet nga Berlini kishin theksuar në këtë kontekst sidomos domosdoshmërinë e arritjes sa më shpejt të një marrëveshje në dialogun Serbi-Kosovë.

Liderët e Ballkanit Perëndimor nenshkruan tre marreveshje, që parashikojnë lëvizjen e lirë me karta identiteti të personave ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, njohjen e diplomave universitare dhe njohjen e kualifikimeve për tre profesione: mjekët, dentistët dhe arkitektët. Një fokus në samit do të marrë edhe kriza energjetike.

Axhenda e Samitit do të ketë në fokus të veçantë sigurinë energjetike dhe tranzicionin e gjelbër si dhe angazhimin e rajonit për të përshpejtuar zbatimin e Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Ai gjithashtu do të trajtojë iniciativat për të rritur zhvillimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, të shpallur në kuadër të Procesit të Berlinit në nëntor 2020.

Përveç gjashtë liderëve të Ballkanit Perëndimor, e pranishme ështe edhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen, si edhe Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel.