Kryeministri Edi Rama është prononcuar nga Verona, për gjyqin ndaj krerëve të UÇK-së që do të nisë nesër në Hagë.

Rama tha se ai e ka dhënë komentin e tij për këtë çështje duke përsëritur se ka diçka shumë të madhe që nuk shkon në këtë proces.

Rama tha se kjo situatë e bën të mendojë që mos vallë pas pak vitesh edhe presidenti i Ukrainës do të jetë në këtë situatë edhe pse rolet nuk janë krejtësisht të njëjta.

Zoti kryeministër, nesër është një ditë e rëndësishme për kombin shqiptar, sa i takon pikënisjes së një procesi gjyqësor ndërkombëtar në Hagë për pesë nga drejtuesit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Çfarë komenti keni ju për këtë?

Kryeministri Rama: Komenti im është i njohur. Nuk besoj se ka diçka të re për të thënë, por sigurisht që sa herë krijohet mundësia për ta përsëritur duhet përsëritur që ka diçka shumë të madhe që nuk shkon me këtë proces dhe pa dashur fare të paragjykoj aspektin që ka të bëjë me drejtësinë dhe me pavarësinë e një gjykate, e cila është formuar me votën e Parlamentit të Kosovës, thjeshtë mbetem i mahnitur nga sensi më negativ, nga fakti që udhëheqësit dhe komandanti i një lëvizje çlirimtare popullore, jo i një ushtrie të organizuar, por i një rebeli ndaj një regjimi brutal që synoi të spastronte etnikisht shqiptarët në Kosovë akuzohet, akuzohen së bashku si kriminelë. Njeriu që vetë Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara dhe deri dje një nga figurat kryesore të senatit amerikan Joe Biden e pagëzoi si Xhorxh Uashingtoni i Kosovës, është sot prej tanimë një kohe të gjatë prapa hekurave, i marrë si president në detyrë dhe i mbyllur brenda pa akuzë për një periudhe 1 vjeçare, gjë që është jashtë çdo lloj imagjinate, në raport me të drejtën ndërkombëtare dhe kombëtare dhe do duhet të përballet me një proces, që mua më bën të mendoj mos vallë ky do jetë fati i presidentit Zelenski pas 10 vjetësh. Edhe pse përsëri ka një ndryshim, gjithsesi. Presidenti Zelenski është komandanti i një ushtrie të rregullt, Hashim Thaçi ishte komandanti i një lëvizjeje çlirimtare, e cila mori emrin Ushtri Çlirimtare, por e cila ishte larg së pasuri një zinxhir komandimi të atillë që mund të ngrihen akuza të kësaj natyre. Dhe kur kam parë sesi rusët filluan të flasin për trafik organesh në Donbass dhe sesi filluan të hidhen tezat e para të krimeve të luftës edhe nga ana ushtrisë ukrainase, kam thënë Zoti na ruajttë se mund ta shikojmë edhe këtë hero që sot të gjithë e admirojnë, para një gjykate.

– Zoti kryeministër, “Liria ka emër” ishte një nga tubimet më të mëdha që ka ndodhur në Kosovë ditët e fundit, një tubim që ka bërë bashkë, jo vetëm politikën, por shoqërinë civile, komunitete fetare në Kosovë. E ndërkaq, ju jeni sot këtu pranë presidentit Aleksandër Vucic. Ka një domethënie kjo?

Kryeministri Rama: Kjo është një rastësi e plotë, se ne jemi këtu në ditën e hapjes së panairit të madh VinItaly, një nga panairët më të mëdhenj të botës dhe më i madhi i Europës së bashku me atë në Dusseldorf nëse s’gabohem për të prezantuar prodhimet tona, diçka e re që s’ka ndodhur kurrë më parë edhe natyrisht që është rezultat dhe i bashkëpunimit në kuadrin e Ballkanit të Hapur dhe është një koincidencë e plotë, por nga ana tjetër, me presidentin Vucic janë ulur, kanë diskutuar dhe kanë ndër vepruar të gjithë liderët e Kosovës, përfshirë edhe kryeministrin aktual se kështu duhet të jetë, s’ka sesi të jetë tjetër dhe kjo në raport me atë që ndodh nesër është larg së qeni e lidhur, pasi ajo që ndodh nesër nuk është një proces ose një fazë e re e një procesi që zhvillohet në Serbi. Zhvillohet në Hagë nga një trupë, e cila supozohet që të përfaqësojë botën demokratike të lirive e të të drejtave, supozohet të mishërojë të drejtën ndërkombëtare, të drejtat dhe liritë e njeriut, kartat e të tjera e të tjera, dhe që më mirë të mos flas më shumë sepse realisht shumë gjëra mund të them.

– Në prag të mbajtjes së seancës nesër për 5 drejtuesit kryesorë të UÇK, orët e fundit ka patur incidente në Mitrovicën e veriut. Keni patur mundësi të komunikoni me presidentin Vucic në lidhje me këtë situatë atje?

Kryeministri Edi Rama: Kemi qenë aty gjatë gjithë kohës dhe faktikisht pa ndikime të jashtme, por jemi përfshirë në diskutime me guvernatorin e Venetos, me ministrin e Jashtëm italian. Nesër presim këtu kryeministren e Italisë. Këto tre vende dhe ne jemi të ftuarit e nderit të këtij panairi. Natyrisht, që ky është një proces i komplikuar. Incidentet dhe përplasjet nuk kanë munguar, por ama nga ana tjetër, gjatë gjithë këtij procesi gjërat kanë ecur përpara.

Sot, kemi kryeministrin e Kosovës dhe Presidentin e Serbisë që janë në një fazë të avancuar të procesit të normalizimit dhe siç e thashë më parë e siç e kam edhe shkruar, takimi i fundit me Albinin ka qenë një takim që më ka bërë shumë të besoj se jemi në një fazë pozitive dhe prandaj dhe unë e mbështes plotësisht kryeministrin e Kosovës në këtë përpjekje. Nuk i kuptoj fare ata të cilët e konsiderojnë tradhtar. Natyrisht për gjëra të cilët dhe për të cilat ai i ka konsideruar tradhtar të tjerët më përpara por kjo nuk ka asnjë lidhje se këto janë gjëra krejt të ndara. Si kryeministër i Kosovës ai po bën gjënë e duhur. Unë jam tërësisht në mbështetje të tij dhe të këtij procesi dhe kam shumë besim që ky proces do të konkludojë e besoj shumë që edhe kjo marrëdhënie mes Serbisë dhe Shqipërisë, Shqipërisë dhe Serbisë  ka ndikimin e vetë pozitiv në atmosferën e procesit.

– Mendoni që situata në gjyq nesër do të ndikojë e do t’i ndikojë kryeministrit të Kosovës një tjetër qasje sa i takon dialogut me Serbinë?

Kryeministri Edi Rama: Nuk më duket se nga ana e kryeministrit të Kosovës ka ndonjë lidhje shkak pasojë me atë që ndodh në Hagë dhe kryeministri i Kosovës është i fokusuar në punët e tij, në axhendën e tij, në procesin e normalizimit, kështu që nuk shoh lidhje shkak – pasojë, aq më tepër që në rolin e kryeministrit të Kosovës, ai duhet respektojë plotësisht pa asnjë diskutim procesin e drejtësisë atje pavarësisht se ç’mund të mendojmë e ç’mund të na vijë nga shpirti  e gati të na plasi shpirtin për atë drejtësi atje, por nuk kemi pse bëjmë komente.

– Çfarë urimi keni ju për 5 drejtuesit më të lartë të UCK në këtë rrugëtim me drejtësinë ndërkombëtare?

Kryeministri Edi Rama: Ajo që po kalojnë ata është diçka që mund ta përkufizojmë me fjalën “e tmerrshme”, por nga ana tjetër ata janë njerëz që e kanë sfiduar atë si të thuash sensin e përgjithshëm edhe më parë, e kanë sfiduar në mënyrë shumë ekstreme kur kanë guxuar, jo vetëm ta mendojnë, por dhe të veprojnë për të pavarësuar Kosovën, atëherë kur askush as nuk e qaste fare si ide e kanë guxuar t’i japin idesë së pavarësimit të Ibrahim Rugovës dimensionin e luftës së armatosur. Pra, diçka aq heroike të cilën sot shumëkush e harron sepse nganjëherë kështu është jeta, nganjëherë kështu janë njerëzit dhe nganjëherë politika dhe cinizmi i errin sytë shumëkujt e nuk janë të gjithë fatkeqësisht që e mendojnë sot se pa Hashim Thacin e pa ata që janë atje dhe pa heronjtë, dëshmorët dhe protagonistët që dhanë jetë ose jo për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sot askush nga ata që i japin gojës pa fre nuk do kishin gojë fare sepse nuk do t’i linte njeri të hapin gojën, kështu që kjo është ecuria e proceseve jetësore, por nga ana tjetër unë kam shumë admirim për forcën, për durimin, për kokëfortësinë pse jo të Hashimit dhe të atyre për t’ia dalë edhe në këtë betejë që është po aq e barabartë sa ishte beteja me armikun atëherë edhe pse nuk është një betejë me armikun, është një betejë me mikun, është tjetër gjë kjo