Prodhimi global i verës këtë vit ra në nivelin më të ulët që nga viti 1961 pasi vreshtat u goditën nga moti ekstrem. Kjo është bërë e ditur nga Organizata Ndërkombëtare për Hardhinë dhe Verën.
Prodhimi arriti në 244.1 milionë hektolitra, që është shtatë për qind më pak se në vitin 2022, njoftoi organi ndërqeveritar duke paraqitur vlerësimet e para.
“Edhe një herë, kushtet ekstreme klimatike, si ngricat e hershme, shirat e dendur dhe thatësira, ndikuan ndjeshëm në prodhimin e vreshtave në botë”, thotë organizata që ofron të dhëna për vendet që prodhojnë dhe konsumojnë rrush dhe verë.
Një numër i prodhuesve kryesorë në hemisferën jugore pësuan rënie të konsiderueshme të prodhimit. Australia, Argjentina, Kili, Afrika e Jugut dhe Brazili panë një rënie të prodhimit midis dhjetë dhe 30 përqind.
Italia humbi titullin e prodhuesit më të madh në botë pasi prodhimi i saj ra me 12 për qind, duke i lejuar Francës të rimarrë vendin e parë pasi prodhimi i saj mbeti i qëndrueshëm.
Spanja ruajti pozicionin e saj si prodhuesi i tretë më i madh i verës në botë, megjithëse prodhimi i saj ra me 14 dhe 19 për qind krahasuar me mesataren pesëvjeçare.