
Ish deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani është ndarë nga jeta në moshën 54 vjeçare, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Lajmin e ikjes së parakohshme të ish deputetit e ka njoftuar bashkëshortja, Suela Harasani. Në rrjetet sociale, ajo shkruan së pavarësisht se luftoi shumë, fatkeqësisht nuk mundi të fitonte betejën me kancerin.
Andis Harasani ka shërbyer si deputetet në dy legjislatura të Kuvendit të Shqipërisë. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në politikat energjitike të vendit gjatë qeverisë socialiste të Fatos Nanos. Nga viti 2002 deri në vitin 2005 ka mbajtur postin e drejtorit të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).
Në këtë vit, Harasani nis edhe rrugëtimin politik në Partinë Socialiste, pas ftesës së Fatos Nanos, për të kandiduar në Tiranë, përballë Shaban Memisë në zonën nr.4. Harasani fitoi mandatin e deputetit në atë kohë duke mposhtur kandidatin demokrat.
Harasani kandidoi sërish për deputet edhe, pas ndryshimit të lidershipit të Partisë Socialiste. Në vitin 2009 ai ishte në listën e Edi Ramës sërish në qarkun e Tiranës, në zonën e Rrogozhinës.
Ai e fitoi sërish mandatin e deputetit, por këtë herë nuk e përfundoi. Në vitin 2012, një vit përpara se socialistët të vinin në pushtet, Harasani deklaroi publikisht lënien e mandatit për arsye personale. Pasi u largua nga aktivizmi politik, Harasani u zhvendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me familjen e tij./
Komente