Madeleine Albright ishte gruaja e parë që shërbeu si Sekretare Amerikane e Shtetit. Sot ajo u nda nga jeta në moshën 84 vjeçare. Kujtimet e saj kryesore, ajo i përshkroi në librin e shkruar në vitin 2003 “Zonja Sekretare”. Ishte pothuajse e pakonceptueshme që dikush që nuk kishte përvojë politike deri në të 40-at, e për më tepër nëna e tre fëmijëve, të bëhej gruaja më e rëndësishme në historinë amerikane
Kredencialet e saj mbresëlënëse janë: profesoreshë, ambasadore, autorja më e shitur sipas New York Times, kryetare e Institutit Kombëtar Demokratik për Çështjet Ndërkombëtare, si dhe kryesuese e Grupit Albright Stonebridge, një biznes i strategjisë globale. Ajo njihet për thënien: “Ka një vend të posaçëm në ferr për gratë që nuk i ndihmojnë gratë e tjera”. ja disa fakte që duhet t’i dini për të.

“Madaleine” nuk është emri i saj origjinal

Ajo quhet Marie Jana dhe ka lindur në Pragë më 15 maj 1937, si fëmija i Anna Spieglova dhe Josef Korbel. Por emri “Marie” nuk u përdor gjatë. Anëtarët e familjes e quajtën Madla, Madlin ose Madlenka kur ishte shumë e re. Kur Albright filloi të studionte frëngjishten, ajo pëlqeu versionin Madeleine. Megjithatë, Albright kurrë nuk e ndryshoi ligjërisht emrin e saj zyrtar – Marie Jana.

Familja e saj iku nga nazistët

Roli i babait të saj si ambasador i Çekosllovakisë në Beograd dhe respekti i thellë për demokracinë, vënë në dyshim sigurinë e familjes nën regjimin nazist. Ndërsa prindërit u organizuan për të shkuar në Londër, Albright jetoi me gjyshen në Çekosllovaki. Albright dhe familja e saj u larguan për në Angli 10 ditë pasi nazistët pushtuan kryeqytetin Pragë.

Roli i saj historik si Sekretare Shteti

Kur Presidenti Bill Clinton morri detyrën, Albright u betua si Sekretare e Shtetit në janar të vitit 1997. Albright në librin e saj shkruan për postin që Clinton i besoi. “Ai më dha mundësinë që asnjë individ, mashkull apo femër tjetër, nuk më ka dhënë. Ai më ka nderuar duke më emëruar Sekretare e Shtetit e SHBA”.Ky emërim e bëri Albright si gruan më të lartë në pozitë në gjithë historinë e qeverisë amerikane deri atëherë.

E para zyrtare amerikane që takohet me liderin koreanoverior

Sekretarja amerikane e Shtetit Albright u takua me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Il më 23 tetor 2000.Udhëtimi i saj drejt vendit komunist, shënoi herën e parë që një Sekretar amerikan i Shtetit dhe zyrtar i nivelit të tillë shkel aty.

Ajo vonë e kuptoi prejardhjen hebreje

Albright u rrit si katolike nga prindërit të cilët ishin konvertuar në krishterizëm me të ardhur në SHBA. Megjithatë, ajo nuk ishte në dijeni të ndonjë përkatësie të mëparshme fetare.Gjatë procesit të vetingut për Sekretar Shteti, ajo zbuloi se mund të ketë paraardhës hebrenj. Gjatë hulumtimi, Michael Dobbs, gazetar i Washington Post, zbuloi se tre prej gjyshërve të Albright vdiqën në Aushvic dhe Terezin. Familja e saj bëri kërkime të mëtejshme dhe mësoi se 25 anëtarë të tjerë nga trungu vdiqën në kampet e përqendrimit.

Veshja e saj me spila në xhaketë që përcillte mesazhe

Albright është e mirënjohur për karficat e saj që mbante në pallto sa herë që paraqitej në takime diplomatike. Për secilin takim kishte karfica të ndryshme, me mesazhe të ndryshme gjithashtu. Kur mediat irakiane të Sadam Huseinit e quajtën atë “gjarpër”, ajo u shfaq në konferencë të nesërmen me një karficë në formë gjarpri, të vendosur në xhaketë.

Roli historik në Kosovë

Në një shkrim të rrjetit kabllor amerikan, CNN thotë se suksesi më i madh në rrafshin ndërkombëtar i Albrightit ishte ndërhyrja në Ballkan, gjegjësisht në parandalimin e një gjenocidi ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. “Përpjekja më e dukshme e saj ishte që t’i jep fund dhunës në Ballkan dhe ajo ishte vendimtare në shtyrjen e presidentit amerikan, Bill Clintonit që të ndërhynte në Kosovë në vitin 1999 për të parandaluar një gjenocid kundër myslimanëve etnikë shqiptarë nga ish-udhëheqësi serb, Slobodan Millosheviç”, thuhet aty.