Drejtuesit e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion ndodhen në SHBA për një vizitë studimore. Ambasada Amerikane në vendin tonë bën me dije se zyrtarët e SPAK kanë zhvilluar takime me drejtuesit kryesorë të Departamentit të Drejtësisë nga OPDAT, si dhe ata të Programit Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnimin për Hetimet Penale (ICITAP.

Prokurorët e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion kanë diskutuar edhe sfidat e sigurisë me Shërbimin Marshall të SHBA-ve që mbron gjyqtarët, prokurorët, stafin e gjykatës dhe dëshmitarët.

Pjesë e delegacionit është edhe Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, prokurorët që po hetojnë dosjen e Sali Berishës dhe dhëndrit Jamarbër Malltezi për aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani.

Në një njoftim në rrjetin social në Facebook, Ambasada e SHBA-ve në Shqipëri shkruan se vizita e zyrtarëve të SPAK do të përfshijë gjithashtu takime me Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Departamentin e Drejtësisë, Administratën kundër Narkotikëve (DEA) dhe Byronë Federale të Hetimit (FBI).

“Zyrtarë të lartë të SPAK-ut po marrin pjesë në një vizitë studimore në Uashington, DC këtë javë. Të udhëhequr nga anëtarët e ekipit të Zyrës për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë Jashtë Vendit të Ambasadës së SHBA në Tiranë (OPDAT), zyrtarët e SPAK-ut u takuan me drejtuesit kryesorë të Departamentit të Drejtësisë nga OPDAT dhe Programit Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnimin për Hetimet Penale (ICITAP).

Prokurorët e SPAK diskutuan gjithashtu sfidat e sigurisë me Shërbimin Marshall të Shteteve të Bashkuara, i cili mbron gjyqtarët, prokurorët, stafin e gjykatës dhe dëshmitarët federalë të Amerikës.

Vizita do të përfshijë gjithashtu takime me Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Departamentin e Drejtësisë, Administratën kundër Narkotikëve (DEA) dhe Byronë Federale të Hetimit (FBI)”, thuhet në postimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë.