Qazim Rasha, babai i Klodian Rashës, i riu që u vra nga Policia e Shtetit, thotë se ka besim tek shteti.
Pasi është pyetur për ndryshimin nga akuza të Prokurorisë për ish-policin Nevaldo Hajdaraj, i cili do të gjykohet për vrasje me dashje dhe jo “vrasje në rrethanat e tejkalimit të mbrojtjes”, Rasha thotë se ka besim tek drejtësia.
“Jemi bij të këtij shteti, kërkojmë drejtësi prej tij. Drejtësia shëron plagët, ajo shëron zemrat. Përveç shtetit, kush mund të bëjë drejtësi? Kur shteti kërkon të nxjerrë të vërtetën, ka një lehtësim. Kërkova drejtësi që ditën e parë e vijoj ta kërkoj. Kam besim të plotë që çdokush e ndjen dhimbjen time.
S’ka fije dyshimi që gjërat do të shkojnë atje ku duhet. Raste të tilla ndodhin njëherë në shekull. Unë nuk e kisha menduar kurrë se do më ndodhte. Kurrë mos ndodhtë ajo që më ndodhi mua. Kam besim se shteti do të bëjë punën e vet”, tha mes të tjerash Qazim Rasha.
Prokuroria e Tiranës ndryshoi akuzën tri ditë më parë për Nevaldo Hajdarajn. Prokuroria e akuzon atë për “vrasje me dashje” dhe efektivi rrezikon deri në 20 vite burg. Ai akuzohet se e vrau pa shkak të riun Klodian Rasha 2 javë më parë në Laprakë.
VERITAS.COM.AL