Koment: Veritas/

Pas banorëve të Unazës së Re, tani protestat kanë nisur edhe në zonat që janë ndërtuar me kohë. KA nisur protesta sot edhe në Bregun e Lumit, por edhe në zgjatimin e Bulevardit të ri të Tiranës, ku banorët denoncojnë se nuk i kanë marrë të gjithë paratë për dëmshpërblimet.

Kudo ku ka një punë për ndërtimin e Unazës dhe të Bulevardit, dhe ku shembet një ndërtim, ka protesta të dhjetëra banorëve- gjë që është e natyrshme: Aty ku shikon se shembet një punë që ke bërë, aty të vjen keq…

Por përveç ndonjë rasti kur familjari thotë se nuk kam ku strehoj fëmijët, duket se nuk ka aq shumë ‘tension’. Është për t’u shënuar talenti dhe kurajë e protestuesve për ta kthyer kohën e protestës në një krijimtari folklori. Krijimi më i fundit i sotëm ishte ‘kënga’ kushtuar kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Kënga thotë: “O Erjon, o iriq/ Merr gomarin shko për fiq”/

Njësoj siç ndodh me autorët e rapsodisë, edhe në këtë rast, ‘gomari’ është një figurë e përdorur më në fund nga kryeministri Rama në Prishtinë ku tha se ‘kush i thotë Thaçit tradhtar, ai është gomar”.  Me siguri figura ka zënë vend në krijimtarinë e freskët të rapsodëve mes protestuesve. Kenge te tilla me humor jane degjuar neper odat e burrave ne fshatrat e vendit gjate stines se dimrit.

Kënga miqësore kënduar për Erjon Veliaj e pasuron folkun e protestës.

Ditët e kaluara janë dëgjuar këngë të vjetra të viteve 1996- 97 për herë të parë, si për shembull: “O Edvin, o legen, prite Lulin se po vjen”. Dashamirësia shprehet si për Lulin, edhe për Edin- si një pikturë e bërë nga karikaturistët në Paris… Megjithatë ishte interesante sepse kishte kohë që ‘këngët’ e vjetra me ‘legen’, nuk ishin nxjerrë nga arkivat.

Folku që po shoqëron protestat e zbut klimën ‘tensionuese’ dhe tregon se protestuesit dinë të manifestojnë krijimtari artistike popullore. Këngët komike dhe karikaturat përgjithësisht shkarkojnë zemëratat.

Veritas.com.al/