Ambasada e SHBA mbështet propozimin e PS për një rezolutë antikorrupsion. Në një reagim për Report Tv dhe Shqiptarja.com, ambasada thotë se mbështet çdo nismë që synon të çojë para përpjekjet për një qeverisje të mirë, luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit.

 

“Propozimi për të çuar përpara përpjekjet e Shqipërisë që lidhen me qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit, dhe anti-korrupsionin është premtues. Si partnerë në mbështetje të Shqipërisë prej kohësh, Shtetet e Bashkuara përgëzojnë përpjekjet që bazohen në suksesin e reformave të mëparshme ndërkohë që bëjnë bashkë grupe politike, shoqërinë civile, biznesin dhe të tjerë për të çuar përpara reformat kritike që janë të nevojshme për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe bashkësinë euro-atlantike. Nxisim pjesëmarrjen e të gjithë shqiptarëve që synojnë të përmirësojnë të ardhmen e Shqipërisë dhe presim me kënaqësi të shohim rezultatet e dala nga një proces transparent dhe bashkëpunues”, thuhet në reagim.

 

Një bashkim të forcave politike, parlamentare ose jo, për reformat kërkon Partia Socialiste teksa i shtrin dorën për bashkëpunim në një komision të posaçëm parlamentar të gjithë opozitës. Rama e quajti një zonë pa sharje politike ku punohet për reformat. Kryeministri tha se SPAK nuk preket, ndërsa ambicien pas gjithë kësaj pune e lidhe me Shqipërinë anëtare në Bashkimin Evropian në 2030.