Frrok Çupi//

Se mos po gabohet me ngatërresën mes “elitave”. Po them për “elitën politike” që po bie në dekadën e dytë të këtij shekulli.

Dje, në momentin e largimit, dy burrat “më të lartë” të Amerikës superfuqi, u mbytën në lot: Obama- president dhe Biden- zëvendës president. Edhe para dy ditësh, kur Obama “u fal” para të devotëve të tij, u mbyt në lot. Nuk po sjell shembuj të tjerë…

Dje, vetëm dje, janë shkruar mijëra artikuj dhe postuar mijëra karikatura se si qajnë burrat e shtetit. Sipas medias amerikane, fjalimi i lamtumirës i Obamës ishte “më i gjatë se fjalimet e presidentëve  Ronald Reagan, Bill Clinton dhe George W. Bush të marrë së bashku… Këtu nis e shfaqet arsyeja  pse qajnë elitat dhe pse përballë tyre qeshin e lozin gazetarë, shkrimtarë, piktorë dhe njerëz të tjerë të lirë… Këtu është ndryshimi. Njerëzit e lirë nuk kanë arsye të qajnë, ndërsa njerëzit e palirë të elitave kanë miliona arsye të qajnë e të bëjnë më të zezën.

Po pse?

Përgjigja e parë: Sepse këta janë ngarkuar me dy barrë shumë të rënda: Barra e përfitimeve kolosale; dhe, barra e krimeve kolosale. Barra e përfitimeve mund të bjerë shumë shpejt, siç ranë financat e George Soros- 1 miliardë dollarë brenda ditës dhe po shkon drejt falimentimit. Ndërsa barra e krimeve do të lahet para hetimit dhe gjykimit. Shoqëria amerikane tani po kërkon të dijë “kush është fajtori” pse Amerika nuk është “Great!” si më parë…

Kjo është ajo çfarë do të ndodhë dhe për çfarë po loton elita në ikje.

Por në thelbin e vet, pse ndodh kështu?

1.

Fillimisht,  kjo e qarë perceprohet si dashuri. Edhe të tjerët rrotull duan ta marrin si dashuri… Dashuri për cilin? Kjo është pyetja që mund të ftohë mendjen e secilit që e merr si “dashuri”… Dashuria për gruan e për vajzën nuk bie ditën që bie pushteti i një elite… As dashuria për veten… As dashuria për miqtë… Elitat e viteve të fundit, ndoshta që pas Luftës së Ftohtë, ndërtuan marrëdhënie tragjike me pushtetin. Këto u bënë kaq të bezdisshme dhe të urryeshme për njerëzit, saqë tani po bien në moçalin e kohës. “Drain the Swamp”- tha Donald Trump.

2.

Elitat që po qajnë tani që ikin, bënë çfarë bënë,  morën e rrëmbyen e u tallën e u skërmitën sa deshën…, por një gjë nuk bënë dot. Këta nuk kuptuan kohën, dmth., epokën ku jetonin. Kjo që po jetojmë aktualisht, është një epokë e brishtë. Edhe njeriu është i brishtë, ai i ka dhënë natyrë epokës. Njeriu që njeh epokën e vet (po them njeriu i elitës, por edhe tjetri i zakonshëm) u frikësohet shumë gjërave. I frikësohet asaj që bën, asaj që të ofrojnë. Mbi të gjitha, elita duhet t’i frikësohet lidhjeve dhe agregateve që i bëjnë lidhjet. Ku ishin lidhur, bie fjala, Obama dhe Hillary? Edhe pse e kanë lënë pushtetin, prapë po ndezin fitila për të ndaluar presidentin e ri, për të filluar luftën me Rusinë… Kur nuk ke njohur epokën dhe lidhjet- këtë bën.

3.

Heretikët qajnë në fund. Elitat e fundit, si në Amerikë edhe në Europë, krijuan herezinë: “O kështu si them unë, o tjetri të zhduket!”. Shikoni edhe në Shqipëri… Këta duan ta zhdukin tjetrin përballë; këta i bëjnë zero opozitën, median dhe etnografinë. Nesër kur të ikin, këtu do të pëlcasin moçalet (Drain the Swamp”. Elitat, alias Obama- Hillary, ose alias liberalë në Europë, u kthyen në “fe” për të zhdukur “fenë” tjetër. Heretizmi krijoji disa autokratë dhe autokraci. Përballë, asgjë nuk lëvizte; as që mund ta besonin se elitat u kishin dalë tepër popujve. Popujt bënë atë që duhej të bënin elitat: U larguan, i lanë vetëm elitat dhe ikën në drejtim tjetër! Bota po ndryshon, ndërsa ata prapë mendojnë se mund ta mbajnë në grusht.

4.

Të ngurtë si në Luftën e Ftohtë- kjo është një arsye tjetër… Por marrëdhënia është e lëngshme në këtë epokë. Edhe marrëdhënia në vëllazëri, në dashuri, në miqësi- është e lëngshme. Aq më tepër marrëdhënia me pushtetin, me krimin, me luftën, me luksin. Këta vijnë si fitimtarë të rremë të Luftës së Ftohtë dhe krijuan Luftën e hekurt. Edhe këtu te neçfarë po ndodh: Qeveria rri në facebook ose në podium dhe iu sulet njerëzve. I sulet atij që kërkon legalizim, atij që shkruan kundër, atij që nuk mund të paguajë dritat, atij që do shkollë. A keni parë që qeveria t’i thotë dikujt: “Hajde ta zgjidhim bashkë problemin që ke”?… Jo. Për këtë do të ishte lëngu i marrëdhënieve. Edhe elitat që po perëndojnë nëpër botë, kishin menduar se “vetëm unë jam, unë ndryshoj botën”.

5.

Këta nuk kishin derë të dytë. Hynë në piramidën e pushtetit, por nuk lanë derë për të dalë. Edhe malësorët e Veriut, madje, kur ndërtonin shtëpi, e linin derën e daljes; ua kishte mësuar demokracia para- politike. Në epokën tonë:  Mund të kishte ndodhur që presidenti të hiqte dorë nga Lufta në Irak, ose në Libi, ose nga Pranvera Arabe. Mund të bëhej vetëm një pyetje: A është më e mirë Demokracia e Pranverës nga Demokracia Islamike? A është më e mirë paqja apo lufta me Rusinë?… Pyetja është një portë, pendimi është një portë, tërheqja është një portë, anulimi është një portë… Këta nuk kishin asnjë portë tjetër.

Por nuk mbaron me kaq: Edhe lotët e elitave janë të rrezikshëm.

/Veritas.com.al/