(FOTO: John Brenan, shef i CIA-s)
/Nga Veritas.com.al/
Duket se është një vizitë surprizë kjo e shefit të CIA-s në këtë moment. John Brenan vizitoi sot zyrën e Presidentit të Republikës, Nishani, kryeministrin Rama, dhe pas kësaj vizite, ka takuar ministren e Mbrojtjes, Kodheli si dhe krerët e Shërbimit Kombëtar të Inteligjencies.
Sipas asaj që është thënë për mediat, shefi i CIA-s ka diskutuar për çështje të isgurisë rajonale dhe të bashkëpunimit kundër terrorizmit.
Momenti kur zhvillohet vizita lë për të nënkuptuar çështje të ngutshme që mund të jenë vënë në tavolinën e bisedimeve mes palëve.
Pak kohë më parë kryeministri Rama ka deklaruar, si në Berlin edhe në Tiranë, se “sikur të mos na pranoni në BE”, atëherë ka “faktorë të tretë” që po ushtrojnë trysni në Shqipëri dhe rajon. Pas kësaj, në Tiranë, ka deklaruar se mund të takohet me presidentin rus, Putin.
Do të ishin të mjaftueshme këto dy deklarata të kreut të qeverisë për të tërhequr vëmendjen e Shërbimeve të Informacionit Amerikan. Në qoftë se do të ndryshonte boshti i politikës së Shqipërisë në drejtim të Rusisë apo një Lindjeje tjetër, atëherë kjo nuk mund të bëhej pa marrëveshjen e aleatëve të mëdhenj.
Përveç kësaj, është deklaruar disa herë se ekziston mundësia e penetrimit të luftëtarëve të ISIS drejt Perëndimit përmes territoreve shqiptare. Por edhe situata alarmante e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike nën mbikëqyrjen qeveritare, në Shqipëri, është një shqetësim për aleatët në SHBA.
Vizita e shefit të CIA-s zhvillohet vetëm rreth 40 ditë para se në Shtetet e Bashkuara të bëhet zëvendësimi i presidentit, nga Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.
/Veritas.com.al/