Delina Ibrahimaj ka dalë sot pas mbledhjes së qeverisë dhe ka bërë me dije se është shfuqizuar bordi i naftës dhe hidrokarbureve. Bordi i Transparencës u krijua më 12 mars 2022 pas krizës së karburanteve prej luftës në Ukrainë.

“Një tjetër vendim i rëndësishëm, me fillimin e krizës ngriti një bord të transparencës për kontrollin e çmimeve. Që prej asaj kohe çmimet kanë pasur luhatje të mëdha. Ne vendosëm të përcaktojmë disa marzhe fitimi me qëllim limitimin të efektit të spekulimeve të hidrokarbureve dhe të limitonim abuzimet. Bazuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e la në fuqi, ne vendosëm, për shfuqizimin e bordit të hidrokarbureve dhe situatës së veçantë në këtë treg.”- thotë Ibrahimaj.

Bordi i Transparencës u ngrit në 12 mars të këtij viti me qëllimin për të shmangur abuzimet nga ana e kompanive që tregtojnë karburante. Ai u ngrit në një kohë kur si pasojë e luftës në Ukrainë, 1 litër naftë shkoi rreth 300 lekë. Teksa opozita e ka sulmuar si Bord klientelist, mazhoranca e ka cilësuar si mekanizmin e vetëm për të mbajtur në kontroll çmimet.